Autoritetet shqiptare nuk kanë mundësi të monitorojnë futjen e avionëve të vegjël në hapësirën ajrore shqiptare.Ish-drejtori i Aviacionit Civil, Ervin Minarolli, shpjegon se Shqipërisë i mungon një radar që shërben për sinjalizimin e këtyre fluturimeve.
Mungesa e monitorimit të hapësirës ajrore në vend sipas ish-zyrtarit të Aviacionit Civil është një alarm për akte të mundshme terroriste që i kanosen vendit. Hapësira ajrore shqiptare mbetet e pakontrolluar për shkak të mungesës së një radari.
Ish-zyrtari i Aviacionit Civil, Ervin Minarolli, shpjegon se shkelja e hapësirës ajrore në vendin tonë në rastin e fundit ka ardhur pasi drejtuesi ka fikur transponderin që shërben për sinjalizim dhe kjo e ka bërë të pamunudur identifikimin e tij.
Kostoja e vendosjes së radarit sipas Minarollit shkon mbi 30 milion dollarë.
“Nëse ata fikin sinjalizuesin është e pamundur me teknologjinë që është sot në Shqipëri.Ka një mungesë vullneti nga qeveria për të vendosur një radar primar, i cili mund të kontrollonte çdo objekt fluturues në vendin tonë”, thotë Minarolli në një intervistë për Ora News.
Përtej rrezikut të trafikut të lëndëve narkotike mungesa e monitorimit sipas ish-zyrtarit është një shqetësim për aktet terroriste./a.m.