Presidenti turk Erdogan i kthehet sërish temës së dënimit me vdekje. Sipas tij, është populli dhe parlamenti turk ai që do të vendosë në lidhje me dënimin me vdekje në vend dhe askush tjetër.
“Populli shpreh kërkesën për dënimin me vdekje. Por këtë Parlamenti e vendos në rendin e ditës dhe e vlerëson. Në momentin që kjo të miratohet në Parlament askush nuk ka autoritetin t’i dalë kundër. Disa liderë evropianë na shprehen se ‘ju mbroni dënimin me vdekje’. Dhe unë u jam përgjigjur: ‘Ju nuk keni përjetuar ato që kemi përjetuar ne’. Më vjen keq por për këtë nuk vendos Bashkimi Evropian. Ai që vendos në lidhje me këtë është populli, parlamenti i Republikës së Turqisë”, tha Erdogan, raporton Anadoly Agency.
Ai gjatë një fjalimi në programin me temë “79 milionë nën një flamur” me rastin e Bajramit në qendrën e Kongreseve Haliç tha se herët apo vonë do ti bëjë të poshtërit që të mbyten në gjakun që kanë derdhur.
“Ata të poshtër të cilët në ditën e parë të Bajramit shpërthyen një mijë kilogram bombë në qytetin Van, herët apo vonë do ti bëjmë që të mbyten në gjakun që kanë derdhur. Për këtë ne jemi të vendosur. Askush nuk ka të drejtë të prishë këto festa të shenjta, këto ditë të bukura të popullit tone”, tha Erdogan.
Panorama/d.i.