Koreja e Jugut po përgatitet për skenarin më të keq të mundshëm lidhur me fqinjin e saj verior. Kështu janë shprehur për “CNN”-in burime pranë Ministrisë së Mbrojtjes në Seul.
Udhëheqësit botërore u rreshtuan në krah të njëri-tjetrit në dënimin e testit të pestë bërthamor të shtetit komunist, ndërsa zyrtarët koreano-jugorë besojnë se Peniani po përgatitet të shtypë butonin edhe për një provë tjetër.
Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Mbrojtjes, Moon Sang-gyun, nëse kjo ndodh vërtet, testi mund të realizohet në një aks nëntokësor po në Punggye-ri, ku u shënua edhe shpërthimi i së premtes.
Koreja e Jugut, – sipas tij, – është duke diskutuar ndër të tjera edhe mundësinë e rinisjes së transmetimeve propagandistike në kufi, diku nga muaji nëntor. Ndërkohë vendi komunist, që veten e projekton si një parajsë të vërtetë të klasës punëtore, është prekur nga reshjet më të dendura të shiut të regjistruara ndonjëherë që prej vitit 1945 raporton tch.
Një raport i agjencisë qendrore koreane të lajmeve, “KCNA”, thotë se verilindja e Koresë së Veriut është prekur rëndë nga përmbytjet, e flet për mijëra banesa të shkatërruara. Fatkeqësinë natyrore e konfirmojnë edhe të dhënat e zyrës së OKB-së për çështjet e koordinimit humanitar, të cilat flasin për 133 të vdekur, 395 të zhdukur e 140 mijë vetë në nevojë urgjente për ndihmë./a.m.