Dani Pedrosa zhvillon një ndër garat më të mira në karrierë, duke mundur 7 herë kampionin e botës Valentino Rossi brenda në shtëpinë e tij, për të siguruar njëkohësisht edhe suksesin e parë të këtij sezoni.
Edicioni i 68 në Moto GP vazhdon të jetë i paparashikueshëm dhe 30-vjecari spanjoll u bë piloti i tetë i ndryshëm që fiton në tetë garat e fundit të këtij edicioni, gjë ndodh absolutisht për herë të parë në historinë e “Klasit Mbretëror”. Për të gjithë u duk si triumfi i katërt i “Doktorit” në Çmimin e Madh të San Marinos, në Misano Adriatico, megjithatë numri 26 i Hondës i prishi festën veteranit italian, përpara 100.000 spektatorëve, duke regjistruar një fitore që në fakt i mungonte pilotit iberik prej plot 11 muajsh, që nga Cmimi i Madh i Malajzisë.
Në cirkuitin që mban emrin e mikut të tij Marco Simoncelli, praktikisht në oborrin e shtëpisë, pasi Tavullia ndodhet vetëm 13 km larg, Vale bëri një nisje të mirë nga vendi i dytë, duke kaluar shokun e skuadrës Jorge Lorenzo që në xhiron e dytë. Falë ritmit të tij Rossi u shkëput nga dyshja Lorenzo – Marquez, dicka e pamenduar duke patur parasysh diferencën që kishte në provat zyrtare me kampionin në fuqi. Në një ditë tepër të nxehtë Pedrosa bëri zgjedhjen e duhur, duke preferuar një gomë të butë përpara. Përmbysja e madhe fiiloi në rrotullimin e 14 kur falë xhiros më të shpejtë në pistë Dani pati luksin për të parakaluar shokun e tij të ekipit, te Honda Repsol Marc Marquez, ndërsa tre xhiro më vonë piloti iberik la prapa gjithashtu edhe spanjollin tjetër Jorge Lorenzo.
Pika kulminante e garës ishte pikërisht 7 xhiro para fundit kur Pedrosa la mënjanë frikën dhe harroi ndrojtjen e përjetshme në duelet me Rossin, duke dhuruar një parakalim spektakolar. Pjesa tjetër ishte thjesht rutinë dhe Dani nuk e pati aspak të vështirë për të mbajtur prapa dyshen e ekipit “Movistar”, për më tepër pikërisht në shtëpinë e “armikut”, pasi Yamaha në Misano kishte fituar 4/5 garat e fundit. Lorenzo nuk vuajti aspak për të siguruar podiumin, ndërsa Marquez e mbylli garën plot 10″ larg Pedrosa-s. Fituesi i javës së kaluar në Silverstone Maverick Vinales e përfundoi aventurën në Rivierën e Riminit në vendin e 5, ndërsa dyshja e Ducati-t Andrea Dovizioso – Michele Pirro u pozicionua respektivisht në vendet 6 dhe 7.
Kështu Pedrosa, që në mëngjes në warm up u rendit i 12-ti, trecerek sekonde larg, i hoqi 5 pikë të sigurta Doktorit, që tashmë e ngushton diferencën me kryesuesin Marc Marquez në 43 pikë. Përsa i përket markave Honda shkëputet 8 pikë nga Yamaha, ndërsa në renditjen e skuadrave HRC e con në 26 pikë avantazhin me ekipin Movistar. Gara e ardhshme është ajo e Cmimit të Madh të Aragonës, që do të mbahet në Spanjë pas dy javësh.
Supersport/d.i.