Nga Skënder Minxhozi/
Kushdo që ka dashur ta minimizojë, të tallet e të bëjë ironi me reformën në drejtësi këto kohë, e ka pasur mjaft të thjeshtë. Në 25 vitet e fundit, nismat për të vënë drejtësi, për të korrigjuar kursin e qeverisjeve, për të luftuar korrupsionin e dënuar zullumet e politikës dhe segmenteve të tjerë të jetës sociale, kanë dështuar të gjitha. Dështuan nismat për pastrimin e elitës politike nga mëkatarët e dosjeve të komunizmit, dështoi në thelb Kushtetuta e vitit 1998 për të ndërtuar një republikë moderne dhe të bazuar mbi ligjin. Dështuan gjithfarë reformash në ekonomi dhe pjesën tjetër të shtetit, duke bërë që Shqipëria të jetë edhe sot një demokraci e dobët dhe e korruptuar.
Një çerek shekulli pas kësaj vazhde të gjatë iluzionesh të pasuara nga dështime dhe zhgënjim kolektiv, reforma në drejtësi hyri në skenën shqiptare, në mesin e një mosbesimi të thellë dhe të shtrirë në të gjitha poret e shoqërisë. Duke e shprehur në favor të saj, në dy vitet e fundit, shqiptarët janë shprehur gjithashtu edhe thellësisht skeptikë që ajo do të ketë sukses. Dhe e gjitha kjo zbulon jo edhe aq karakterin e pazbatueshëm, idealist apo defektoz të vetë reformës, sesa ndjësinë e përgjithshme se situata shqiptare është thuajse e pamundur të ndryshojë kurs dhe rrjedhë.
Zgjedhjet, institucionet, kushtetuta, ndërkombëtarët – që të gjithë janë të paragjykuar dhe të dyshuar, pasi nuk prodhuan dot impulsin e madh të ndarjes me të shkuarën. Në këto kushte Shqipëria e sheh sot veten në pozitën e vendit të kapur fort pas një “cope letre”. Po pati sukses ajo shpëtuam. Ndryshe…E këtu përçmimi nuk shkon tek togëfjalëshi “copë letre”, sesa tek varfëria e skajshme e ofertave dhe e mundësisë për të zgjedhur, që dominon sot shoqërinë shqiptare. Shihni çfarë ndodh në zgjedhje. Gjithçka duket e paravendosur. Njëra palë pret që Rama dhe Meta të hanë sa më shumë dreka apo darka së bashku, në mënyrë që ky koalicion të marrë edhe një mandat tjetër katërvjeçar. Pala tjetër uron në heshtje që vetë Meta të grindet sa më fort dhe thellë me Ramën, në mënyrë që të kalojë edhe një herë Rubikonin e të vijë t’i lutet Bashës e Berishës për një koalicion të dytë si ai i 21 janarit.
E gjitha kjo teoremë me të njëjtët emra, që ofrojnë të njëjtat formula, të njëjtat hile, të njëjtat truke e defekte, është thellësisht dëshpëruese. Duke na bërë që të kapemi fort pas asaj cope letre, që vullneti politik i një pjese të maxhorancës dhe trysnia e skajshme e ndërkombëtarëve, bënë që të marrë formën e normës kushtetuese. Vërtet fataliste, por edhe e rrezikshme. Sepse një shtet duhet të ketë diçka më shumë energji, ide e projekte brenda vetes, për të ardhmen e tij. Një vend duhet të prodhojë më shumë rrugëdalje për veten dhe fëmijët e nipat e tij. Çka ne kemi dështuar me turp ta bëjmë në 25 vitet e fundit.
Reforma në drejtësi është një projekt serioz, që premton të sjellë një përmbysje, përmasat e të cilës nuk i dinë as ata që e hartuan draftin kushtetues. Gjithsesi ajo është sot i vetmi propozim konkret dhe serioz që shqiptarët kanë, për t’ja ndryshuar faqen vendit dhe për të dalë më në fund nga tranzicioni. Është pak, është vonë. Por më mirë pak se aspak, më mirë vonë se kurrë.