Kancelarja Gjermane Angela Merkel pritet të vizitojë Shqipërinë në javën e parë të muajit Korrik. Edhe pse u përfol për pak më shpejt, duket se është precizuar tashmë një datë. Pas suksesit të saj në marrëdhënien e vendeve të Evropës Juglindore, nën kryesimin e Shqipërisë, Merkel ka vendosur të hedh dhe një tjetër hap duke vizituar Tiranën në datën 6 korrik.
Një vit më parë u zhvillua samiti i Berlinit me pjesëmarrjen e 8 kryeministrave të vendeve të rajonit. Pas Samitit në një deklaratë për mediat Merkel bëri të ditur se kryeministri i Shqipërisë Edi Rama do të ishte koordinatori mes vendeve, për të arritur në një bashkërendim të reformave dhe projekteve të përbashkëta që do të kishin si synim thithjen e investimeve. Në deklaratën për mediat, Rama është shprehur se Projektet e infrastrukturës, Sigurimi i energjisë, Mbështetje për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme, financimin dhe edukimin e kapitalit njerëzor dhe Projektet turistike rajonale do të ishin në qendër të projekteve të përbashkëta mes vendeve.