Nga Lindita Karadaku
Për ndërkombëtarët ishin me rëndësi dy gjëra, “get the job done,” (kryeje punën) dhë “deliver,” “jep rezultat.” Meta e kuptoi këtë dhe luajti shkëlqyeshëm, duke i bërë të dyja, duke kryer punën dhe duke dhënë rezultat. Ishte pikërisht kjo që penalizoi Bashën dhe që shkaktoi nervozizëm te Rama. Qoftë Basha, qoftë Rama ishin brenda logjikës ballkanike dhe mesdhetare të lojës së politikës, duke bërë lojë nervash në një kohë kur kërkohej lojë pragmatiste.
Unë nuk di të luaj shah, por gjithmonë më ka interesuar shumë shahu i politikës, si një lojë kaq interesante, e paparashikueshme, me mbretër, mbretëresha, kuaj dhe oficerë, gardianë të tjerë dhe natyrisht, natyrisht ushtarë….Më ka interesuar duke e parë nga jashtë sigurisht për shkak të ndikimit që ka në jetën tonë të përditshme, në të tashmen dhe të ardhmen, e cila përdoret dhe keqpërdoret kaq shumë si fjalë dhe si term, saqë më duket e largët dhe e paarritshme…Nuk e shoh shahun e politikës si lojën e profesionistëve të sportit, por si lojën e makiavelistëve të politikës, që në fund, për fat të keq, ka thjeshtë fitues dhë humbës, pavarësisht se nga cila anë është e drejta. Pastaj fituesi bën historinë në të cilën bëjmë pjësë të gjithë, deshëm apo nuk deshëm.
Duke iu kthyer shahut aktual të politikës shqiptare, më ka bërë gjithmonë përshtypje kombinimi i temperamentit ballkanas me atë mesdhetar, i politikës emocionale me atë pragmatiste dhe mungesa e të parit të politikës si profesion, ku ai që futet, duhet të përgatitet, të shkollohet, të trajnohet, të ngjisë shkallët gradualisht, duke u përpjekur të bëjë punën e vet, që do të duhej të ishte pjesë e ingranazhit të lëvizjes së shtetit, duke pasur shtylla dhe mekanizma, një sistem të tërë që drejton individët në pushtet dhe administratë dhe jo e kundërta. E thënë më thjeshtë, kjo që kemi është një piramidë e përmbysur ku në vend që zyrtarët dhe politikanët të jenë pjesë e sistemit, e ingranazhit të tij dhe e shtyllave të tij të vendosura dhe të panegocueshme, ndodh e kundërta, që individët me pushtet dhe në pushtet transformojnë, shkatërrojnë dhe tjetërsojnë sistemin i cili ose mungon ose është tmerrësisht i brishtë dhe mund të prishet shumë lehtë. Ndryshimet e Kushtetutës kaq shpesh dhe kaq shumë janë një nga shumë shembujt për këtë.
Gjithsesi, brenda kësaj politike, kështu sic është, në këtë lojë shahu të saj, duket se ka pragmatistë që kanë luajtur dhe luajnë në mënyrë pragmatike duke marrë përmes kësaj loje shahu dhe lëvizjesh të jashtëzakonshme, vendin dhe peshën e vet në sistem. Ilir Meta nuk ishte lojtari kryesor në fillimet e reformës në drejtësi, madje deri në javët e fundit konsiderohej si një votë e artë, e sigurtë, me të cilin nuk kishte nevojë të negociohej. Por lëvizja e tij e jashtëzakonshme në këtë shah të politikës duke bërë avokatin e opozitës, por ndërkohë duke luajtur thjeshtë për vete…e bëri një lojtar të klasit të parë dhe të pazëvendësuëshëm. Opozita ra dakord, dha votën, Meta bëri konsensusin dhe loja e shahut kishte përfunduar me fitorën e Metës, reminë e Ramës dhe patin e Bashës.
Tashmë, Rama nuk mund të ishte i pakënaqur, të paktën jo publikisht dhe jo përballë Metës, sepse në fund të fundit u realizua ajo për të cilën ishte investuar; Basha ishte po ashtu i kënaqur që arriti të dilte nga një situatë ngërci përballë të gjithëve, përfshi edhe ndërkombëtarët, dhe Meta vetë, kishte fituar lojën përballë tre lojtarëve, me gjithë anturazhin e tyre, Bashës, Ramës dhë ndërkombëtarëve. Në vetvete, reforma në drejtësi ishte si një lojë kazinoje ku lojtarët vunë në tavolinë gjithçka kishin dhe luajtën “all or nothing,” (të gjitha ose asgjë.) Sa për ndërkombëtarët, pavarësisht nga sa është thënë dhe thuhet, pavarësisht nga emrat dhe titujt, ata përfaqësojnë vendet përkatëse dhe fuqi jashtëzakonisht të mëdha dhe të rëndësishme, ku piramida nuk është e përmbysur si në Shqipëri, por është në drejtimin e vet normal, ku sistemi përcakton sjelljet e individit dhe zyrtarit, të ulët apo të lartë qofshin, dhe jo e kundërta…
Për ndërkombëtarët ishin me rëndësi dy gjëra, “get the job done,” (kryeje punën) dhë “deliver,” “jep rezultat.” Meta e kuptoi këtë dhe luajti shkëlqyeshëm, duke i bërë të dyja, duke kryer punën dhe duke dhënë rezultat. Ishte pikërisht kjo që penalizoi Bashën, duke mos arritur të bëjë asnjërën deri në 24 orët e fundit (u desh shahu i Metës që të arrihej konsensusi dhe Basha me të vetët të votonin) dhe që shkaktoi nervozizëm te Rama që me të thënë të drejtën nuk dukej se donte të luante në këtë lojë shahu me Bashën, por të diktonte rezultatin deri në pozicionin pat. Qoftë Basha, qoftë Rama ishin brenda logjikës ballkanike dhe mesdhetare të lojës së politikës, duke bërë lojë nervash në një kohë kur kërkohej lojë pragmatiste, me lëvizje të llogaritura në perfeksion për të fituar ose të paktën për të dalë barazim.
Për të dhënë një argument më shumë për këtë, duhet përmendur votimi i ligjit të vetingut. Ndërkohë që Rama u ripozicionua në lojën e shahut, këtë herë në pozicionin e duhur në raport me Metën dhe Bashën, si lojtarë, Basha nuk arriti të rigjente pozicionin e vet. Meta, në kalkulimin e tij pragmatist, luajti ekzaktësisht brenda kornizës së dy parimeve të ndërkombëtarëvë: “get the job done,” (kryeje punën) dhe “deliver,” “jep rezultat.” Kjo thjeshtë çimentoi pozicionin e tij si politikan që luan mprehtë, qartë dhe mençëm duke ruajtur ndërkohë të hapura të gjitha linjat e komunikimit, me Ramën, Bashën dhe ndërkombëtarët. Por në fund të fundit, duke luajtur vetë dhe për vete, duke luajtur në perfeksion rolin e politikanit që qëndron midis palëve, duke negociuar me të gjithë, por pa shkelur vijat e veta të kuqe. Dhe kjo e fundit, e bërë, jo thjeshtë e thënë…
Ajo që bën përshtypje është fakti së Meta, pavarësisht nga e gjithë sa është thënë dhe thuhet për të, nga palë të ndryshme, bëri dhe bën politikë, duke qenë më shumë se pragmatist. Duke qenë një shahist me shumë përvojë në fushën e politikës, me një karrierë të ndërtuar përmes tensionesh dhe përplasjesh shumë të mëdha, ai ka ruajtur megjithatë urat me të gjithë, duke harruar, kaluar, falur, rindërtuar miqësi të prishura dhe duke vazhduar përpara. Lojtarët që ka pasur përballë e kanë ndjekur në këtë mënyrë të të bërit politikë sepse ia kanë pasur nevojën dhe ndoshta sepse në fshehtësi, në mendjen e vet, pa e artikuluar me fjalë, e kanë pasur zili këtë mënyrë të menaxhuari veten, partinë dhe politikën. Meta duket se ishte nga të parët që kuptoi se politika nuk bëhet më me emocione, histeri dhe ideologji. Tashmë, politika bëhet me pragmatizëm, rezultate konkrete me partnerët lokalë dhe ndërkombëtarë dhe me popullin, duke u bërë faktor real dhe i qëndrueshëm.
Ka ardhur koha në Shqipëri që modeli Meta, (sic tha edhe Erjon Veliaj para të rinjve të LSI-së…,) të kuptohet dhe përdoret nga pjesa tjetër e politikës në Shqipëri dhe ndoshta përtej kufijve sepse qoftë politikanët, qoftë populli I thjeshtë është ndërgjegjësuar duke kërkuar një politikë që prodhon rezultate, qoftë ky konsensus, qoftë politika, vende pune, shkollim më i mirë, vendime dhe menaxhim i duhur i vendit për të përmirësuar ndjeshëm jetën e qytetarëve. Njerëzit në këtë vend nuk tërhiqen më në shumicë nga ideologjia, ata mund të jenë shpirtërisht me të djathtën dhe të votojnë një parti të majtë dhe anasjelltas. Ajo që vendos tani votën është mirëqenia, vendet e punës, rruga e fshatit, tregu i perimeve, shkollimi i fëmijëve dhe plotë të tjera si këto që kanë të bëjnë thjeshtë dhe domosdoshmërisht me jetën e përditshme. Meta e ka kuptuar këtë dhe po e luan mjeshtërisht në shahun e politikës. Cështja mbetet në ç’nivel do të jenë lojtarët e tjerë politikë dhe a do të arrijë politika shqiptare të ndërtojë një sistem që do të jetë i paprekshëm dhe i palakueshëm nga qejfet dhe makiavelizmi i politikanëve dhe zyrtarëve që ndërrohen me rotacion.