U mblodh dje në qytetin bregdetar të Shëngjinit, Asambleja e Jashtëzakonshme e Federatës Shqiptare të Mundjes e thirrur nga trajneri i Besëlidhjes, Altin Shtjefni. Grupimi paralel zgjodhi forumet e saj drejtuese duke rikthyer kështu sërish përçarjen në këtë sport.
Në këtë proces zgjedhor morën pjesë 11 delegatë shoqata “Vlora Wrestling” (Krenar Bifsha); Flamurtari (Fitus Korkaj), Tirana (Leonard Çakmashi); Besa (Skënder Musta); Teuta (Sinan Trimi); Partizani (Klodian Koçi); Korabi (Fiqiri Rama); Besëlidhja (Joel Gjelaj); Tërbuni (Shyqyri Kuçi); Apolonia (Baftjar Abazaj) dhe Tomori (Edison Therepeli). Pjesë e këtij procesi ishin gjithashtu zëvendësministri i Arsimit dhe Sportit Rauf Dimraj, drejtori i Sporteve Vladimir Gjonaj dhe presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani.
Pas komunikimit të rendit të ditës që u miratua unanimisht, u zgjodh komisioni i votimit me përbërjen e Rigels Nicaj (kryetar) dhe dy anëtarët, Baftjar Abazaj dhe Elton Azuni. Procedura e votimit u zhvillua, në fillim për shkarkimin e presidentit të federatës, Martin Biba dhe zgjedhjen e kreut të ri dhe më pas shkarkimin e kryesisë aktuale dhe zgjedhjen e anëtarëve të rinj.
Kandidatë për president ishin Sajmir Loshi dhe Arben Ndoka. Kandidati Loshi nuk u paraqit me pretendimin për arsye familjare, ndërsa kandidati Ndoka ishte prezent, shkruan Panorama Sport.
Procesi- Në votimin për kryetar u përdorën dy kuti votimi, në të parën u hodhën fletët për shkarkimin e presidentit Biba dhe në kutinë e dytë fletët për zgjedhjen e presidentit të ri. Pas numërimit të votave të 11 fletët e votimit ishin pro shkarkimit të Martin Bibës. Ndërkohë në unanimitet do të votëbesohej presidenti i ri i Federatës Shqiptare të Mundjes, Arben Ndoka. Më pas, procesi vijoi me shkarkimin e kryesisë aktuale dhe votëbesimin e anëtarëve të rinj.
Për Komitetin e ri ishin në garë Burhan Arapi, Dorjan Shehu, Jonald Agolli, Zylfi Shehu, Ardian Petoshati, Fadil Karepi dhe Hasan Lluka. Në unanimitet me 11 vota pro do të zgjidheshin si anëtarë të rinj të kryesisë së FSHM-së Burhan Arapi, Dorjan Shehu, Jonald Agolli, Zylfi Shehu, Ardian Petoshati dhe Fadil Karepi. Deklarata- Pas mbylljes së votimit fjalën e mori Arben Ndoka, ku ndër të tjera tha: “Falënderoj të gjithë pjesëmarrësit në këtë Asamble që çuan në vend drejtësinë për zgjedhjen në mënyrë demokratike të organeve drejtuese të Federatës Shqiptare të Mundjes. Jo më kot kam konkurruar për të marrë drejtimin e kësaj federate të rëndësishme të sportit tonë, pasi deri tani ka pasur shumë mangësi. Unë ju garantoj se federata jonë do të mundësojë pjesëmarrjen e mundësve tanë në Lojërat e ardhshme Mesdhetare dhe në Lojërat Olimpike”.
Ministria- Numri dy i MAS-it Rauf Dimraj e quajti të ligjshme këtë proces zgjedhor. “Unë si përfaqësues ligjor i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, konkretisht mbuloj edhe sportet në këtë ministri, ku e quaj të arsyeshme këtë Asamble të Jashtëzakonshme që zgjodhi organet drejtuese të Federatës Shqiptare të Mundjes. Nuk kam se ç’të them tjetër, përpos t’u uroj suksese drejtuesve të rinj”.
Në një linjë me zëvendësministrin e Sporteve ishte edhe Gjonaj. Ky e quajti të arsyeshme këtë Asamble. “U uroj punë të mbarë drejtuesve të rinj të ligjshëm”.
Kush është Arben Ndoka
Arben Ndoka hyri në Parlament në mënyrë kontroverse. Pas emërimit të Mimi Kodhelit si ministre e Mbrojtjes dhe lënies së mandatit të deputetes, lindi nevoja e zëvendësimit.
Pas Kodhelit, në listën e Lezhës ishin edhe dy kandidate të tjera, të cilat dhanë dorëheqjen që Arben Ndoka të futej në Parlament.
Në atë kohë patur akuza dhe zëra se ato ishin kërcënuar prej tij. Pas zgjedhjes deputet, Arben Ndoka u vu nën shënjestër të PD-së, e cila gjeti edhe një dokument që provonte se ish-deputeti ishte i dënuar në Itali për shfrytëzim prostitucioni.
Kjo e detyroi Ndokën që të lërë mandatin e deputetit, duke shkruar edhe një letër drejtuar votuesve ku sqaronte pozicionet e tij.
Kohët e fundit Ndoka është rikthyer sërish, teksa PD e akuzonte se po merrej me fushatën e PS-së në Dibër. Aktualisht ai është i angazhuar me PS-në në Lezhë.
Ndërsa, ditën e djeshme, ai ka fituar betejën e dyshimtë që zgjat prej 1 viti, për kreun e Federatës së Mundjes./panorama/a.k