Etrit Berisha është shumë pranë largimit nga Lazio dhe duket se ka nisur bisedimet intensive për të gjetur sa më shpejt një skuadër të re
Menaxheri i futbollistit shqiptar, Frederiko Pastorelo, ka bërë të ditur se tashmë lamtumira është vetëm çështje orësh.
Menjëherë sapo u mësua se trajneri Simone Inzagi kishte zgjedhur Federico Marchetin si titullar për këtë sezon te Lazio, u bë e qartë se Berisha nuk do të vazhdonte në radhët e bardhekaltërve, edhe pse ka edhe një vit kontratë me këtë klub, shkruan Panorama Sport.
Fillimisht, u fol shumë për interesimin e klubeve jashtë Italisë, por së fundmi, disa të tilla në Serinë A kanë shprehur interesim konkret për lojtarin dhe janë gati të nënshkruajnë me të.
“Etriti dëshiron të luajë. Shpresojmë të largohemi sa më shpejt. Cili ekip është më afër tij? Palermo”, ishte përgjigja e Pastorelos për Cittaceleste.it.
Ndërkaq, mediat italiane tregojnë se për portierin e përfaqësueses shqiptare po interesohen edhe Krotone dhe Torino, por për momentin nuk ka asnjë ofertë zyrtare prej tyre, citohet “Express”. (b.an)