Zona periferike e Selitës do të ofrojë të njëjtat standarde infrastrukture dhe jetese, ashtu si edhe zonat e urbanizuara të Tiranës. Bashkia e Tiranës ka nisur projektin për rikualifikimin e plotë urban të bllokut të banimit të kufizuar nga Rr. “Mentor Xhemali”, Rr. “Hajdar Tafa”, Rr. “Qemal Butka” dhe Rr. “Frang Bardhi” në Selitë. Punimet u inspektuan sot nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar edhe nga deputeti i PS, Pandeli Majko, i cili vuri në dukje se ky invesim i ri i bashkisë vjen si përgjigje ndaj shqetësimit të vazhdueshëm të banorëve dhe si një premtim i mbajtur.
“Ky investim do të ndikojë në jetën e rreth 6000 banorëve në këtë zonë. Dua të falenderoj shumë qytetarët që janë treguar dashamirës ndaj projektit të bashkisë, që janë shprehur bashkëpunues për të tërhequr avllitë, për të sistemuar muret, për të kthyer trotuaret e hapësirën publike dhe i ftoj gjithë të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë, për të kuptuar se sakrifikimi i gjysmë metri nga avllia jote apo kopshti yt, në fakt shumëfishohet si investim, së pari për vetë shtëpinë tënde së cilës i rritet vlera, dhe së dyti, për të gjithë komunitetin”, tha Veliaj. Kryebashkiaku bëri të ditur se pas ndërhyrjeve të bëra gjatë vitit të parë, kryesisht në zonat e urbanizuara, në vitin e dytë vëmendja e Bashkisë së Tiranës do të zhvendoset edhe në zonat periferike. Ndaj, ai ka theksuar se shumë shpejt do të nisin një sërë investimesh si në lagjet periferike të Tiranës, ashtu edhe në zonat rurale.
“Viti i dytë i mandatit tonë sinjalizon një ndryshim strategjie. Nëse në vitin e parë u fokusuam në sistemimin e pjesëve qendrore të Tiranës, fokusi do të jetë në periferi, edhe në zonën e fshatit. Pas këtij projekti do të fillojmë rrugën e Krrabës, një rrugë shumë e nevojshme që lidh qytetarët e asaj zone me aksin kryesor të rrugës Tiranë-Elbasan; do të fillojmë rrugën e Zall-Herrit, rrugën e Ndroqit dhe rrugën e Pezës, ku në të gjitha këto ish-komuna, sot njësi administrative të Tiranës së madhe, do të shikojmë shumicën e investimeve në vitin e dytë të mandatit”, tha Veliaj. Ai ka theksuar se Bashkia e Tiranës është e vendosur që t’i trajtojë me të njëjtin standard si ata që jetojnë në qendër të Tiranës, ashtu edhe ata që jetojnë në zonat e ish-komunave, për t’u ndjerë njësoj banorë të Tiranës së Madhe.
“Për të dhënë edhe një mesazh të fortë: patjetër që duhet filluar nga qendra, secili rregullon fillimisht dhomën e ndenjes, aty ku kalon më shumë kohë. Por, do të sjellim të njëjtin standard edhe në periferi, ku si dikush që e ka shtëpinë në njësinë 5 dhe si dikush që e ka shtëpinë në Krrabë apo Zall Herr, do të trajtohet njësoj nga Bashkia e Tiranës, si qytetarë të kryeqytetit të të gjithë shqiptarëve”, shtoi kryetari i bashkisë. Ndërkohë, deputeti Pandeli Majko falenderoi Bashkinë e Tiranës për vëmendjen dhe gjithë punët e realizuara në këtë njësi, si sa i përket infrastrukturës në institucionet arsimore, ashtu edhe atë rrugore dhe urbane.
“Këtu jemi në kufijtë e një ëndrre për këtë zonë, sepse kishte mbi 25 vjet që diskutohet për të bërë këtë investim që po flasim sot. Mendoj se këtu Bashkia ka bërë një punë, e cila e tejkalon fjalën “shumë të mirë”. Prandaj, le të vazhdohet me këtë ritëm”, u shpreh Majko. Projekti i rikualifikimit urban të kësaj zone përfshin një sipërfaqe prej 6,9 ha dhe parashikohet rikonstruksioni i të gjithë rrugëve brenda bllokut, shtrimi i rrjetit të kanalizimit të ujërave të bardha dhe të zeza, ndërtimi i 750 metër linear mure rrethues, gjelbërim, gjithë ndriçimin, sistemimin e kabllove elektro-telefonikë etj. /r.a