Projektligji i ri i statusit të gjyqtarëve parashikon paga, pension, përfitime, bonuse të majme për ata magjistratë që do të kalojnë filtrat e integritetit dhe do jenë fytyrat e reja të drejtësisë shqiptare.
Me pak fjalë, përpjekja e propozuesve dhe këshilluesve të tyre amerikanë dhe europianë është që gjyqtarët e prokurorët të mos tundohen më nga paratë e të korruptuarve dhe të mund të kenë një jetë të qetë financiare, si homologët e tyre në vende ku shteti ligjor është i konsoliduar.
Drafti që Komisioni i Posaçëm i Refomës në Drejtësi i ka dërguar Ministrisë së Financave parashikon një formulë për përllogaritrjen e pagës së gjyqtarit dhe prokurorit që është vlerësuar si tepër e lartë.
“Magjistrati përfiton pension pleqërie të njëjtë me atë të parashikuar në ligjin bazë. Një magjistrat që del në pension mesatarisht në moshën 65 vjeç dhe kur është edhe koha e studimit për magjistraturë për tri vite konsiderohet si periudhë shërbimi. Periudha mesatare e shërbimit është 40 vjeç dhe për ata magjistratë që dalin ne pension 70 vjeç, kjo periudhë shërbimi është 45 vite”.
Për të llogaritur pagën e një gjyqtari në Gjykatën e Shkallës së Parë merret si bazë paga e Sekretarit të Përgjithshëm në nivel Ministrie plus 150% të kësaj page.
Për shembull: Sekretari i Pergjithshëm i një Ministrie paguhet me 130 mijë lekë në muaj. Kësaj shume i shtohet edhe 150 përqind, që në në finale rezulton se paga e një gjyqtari apo prokurori në ditën e parë të punës të jetë 325 mijë lekë të reja.
Kësaj shumë i shtohet edhe 5% si bonus për çdo fëmijë deri në moshën 25 vjeç që gjyqtari apo prokurori ka.
Magjistratët, të cilët kanë vjetërsi pune ose do të jenë në nivele drejtuese do të përfitojnë bonuse të tjera financiare.
Sipas draftit të ri, ata do të përfitojnë sigurim të jetës, shëndetit dhe pronës për veten dhe bashkëshorten ose bashkëjetuesen.
Gjithashtu parashikohen lehtësira për kredimarrje. Me këtë nivel pagash, gjyqtarët dhe prokurorët paguhen shumë më shumë se Presidenti, që aktualisht ka pagën më të lartë në hierarkinë e pagave shtetërore prej 258 mijë lekë apo kryetari i Parlamentit dhe Kryeministri.
Financat kanë përllogaritur se vetëm pagat e gjyqtarëve do të kenë një kosto në buxhet rreth 45 miliardë lekë në vit.
Por trajtimi i majmë finananciar i gjyqtarëve dhe prokurorëve vazhdon edhe pas mbylljes së karrierës së tyre.
Pensioni që ata përfitojnë, sipas përllogaritjeve të Financave, në bazë të skemës së propozuar nga Kuvendi, rezulton të jetë sa paga neto që ata marrin gjatë ushtrimit të detyrës.
Për rreth 985 punonjës që janë aktualisht në sistemin e drejtësisë, nga buxheti duhet të paguhen 77 miliardë lekë në vit, shumë kjo që kundërshtohet fort nga Ministria e Financave, si e papërballueshme.
Në këto kushte, pritet që ky dikaster të bëjë një propozim të ri me faturë më të ulët financiare, gjë që do të kompromentonte thelbin dhe qëllimin e trajtimit special të gjyqtarëve e prokurorëve në sistemin e drejtësisë..oranews