Ai erdhi drejt nga prodhimi. Kishte punuar nëpër fronte të vështira si mekanik dhe me mik në ato vite shtatëdhjetë arriti të marri një emërim si mësues pune me dru dhe me metal në një shkollë të mesme të Tiranës.
I shkreti, bënte çmos ta mbante me thonjë e dhëmbë atë vend pune. Kjo meqë orët e mësimit nuk dilnin për një normë të plotë mësuesi. Prandaj drejtori i kishte dhënë si detyrë që orët e mësimit që i mungonin t’i plotësonte me riparime dhe rregullime dyersh, bravash, xhamesh të shkollës.
Përndryshe rrezikonte vendin e punës.
Kjo e dyzonte të shkretin. Poqese kishte shumë xhama të thyer në shkollë, drejtori i thoshte : : “Shiko ti Sabri, nuk punon fare, tridhjet xhama të thyer, dhjetë brava të prishura, dy dyer të dala nga çivitë. A punon ti apo jo? ”
Por, edhe kur pasi kishte punuar me djersë, dhe në shkollë nuk kishte asnjë xham të thyer, asnjë galexhant nevojtoreje të thyer, asnjë rjedhje uji, asnjë bravë të shkatërruar, përsëri drejtori i pakënaqur : “Ore Sabri, ti nuk ke punë tjetër këtu veç mësimit, dhe norma mësimore është e paplotë, duhet të njoftoj në drejtorinë arsimore të të çojnë në ndonjë shkollë fshati!”
Tmerr. Hall të mos punonte, hall të punonte.
Por, më në fund e kishte gjetur zgjidhjen. Zgjidhja e tij ishim ne, nxënësit.
Vinte dhe na shtynte : He, çuna, nuk po bëni ndonjë lojë me top andej nga pas shkolle, te oborri i vogël, ngjitur me banjat dhe wc e shkollës?
Ja ku e keni topin o qullaca, he çfarë prisni?
Loja fillonte dhe topi endej sa andej nga njeri xham dritareje te tjetri. Bëhej kërdia…
Ai vrojtonte dhe sapo shihte që sasia e xhameve të thyer dilte e tepëronte për t’i hapur punë për të paktën një muaj, niste e bërtiste që ta dëgjonte drejtori :
Maskarenj, cuna të poshtër, aty e gjetet të luani me top??? Thyet gjithë xhamat, ububu çfarë nxënësish të poshtër, prishët pronën socialiste!!!
Maskarenj, notën në sjellje do t’ju thyejmë!
Ai ishte i kënaqur. Transferimi i tij ishte shtyrë dhe për një muaj.
Vetë shkatërronte për t’i hapur punë vetes, dhe po vetë rregullonte atë që kishte shkatërruar, për t’u dukur si i nevojshëm, si i pazëvendësueshëm, si i paheqshëm.
Rendimenti i tij në punë ishte zero.