Nga Skënder Minxhozi/
Vera e nxehtë po i drejtohet fundit dhe po ashtu edhe pushimet e gjata të politikës po mbarojnë. Kur ka mbetur më pak se një vit nga mandati si kryeministër i marrë pas zgjedhjeve të 23 qershorit 2013, kryeministri Edi Rama e sheh veten në një pozitë jo komode. Marrëdhënieve të acaruara me opozitën, i janë shtuar disa situata delikate brenda koalicionit, si dhe brenda partisë që ai drejton prej vjeshtës së vitit 2005. Është tërësisht i kuptueshëm dhe fiziologjik konflikti politik i kryeministrit me Bashën dhe Berishën, duke pasur parasysh se jemi në një ballafaqim normal mes pozitës dhe opozitës. Janë të kuptueshme deri diku edhe fërkimet e pakënaqësitë me aleatin e tij në qeveri Ilir Meta, qoftë për shkak të interesave politike dhe ekonomike, por qoftë dhe për shkak të trazirës së madhe që shkaktoi mes dy krerëve partiakë reforma në drejtësi.
Sidoqoftë, tre vjet pasi ka nisur rrugën e qeverisjes së vendit, ajo që bie në sy është se Edi Rama nuk ka sot më pak kundërshtarë politikë rreth vetes, megjithëse pushteti që zotëron kryeministri, zakonisht ja zgjidh atij shumë nga hallet që i dalin përgjatë rrugës. Edhe brenda PS, grupit të saj parlamentar, kreu i socialistëve duket se ka një problem të hapur me pjesën e vjetër të partisë. Por jo vetëm me “senatorët” Ruçi, Dokle etj, por edhe me një fraksion si ai i Blushit, i cili krijon paqartësi e turbulenca brenda partisë. Të njëjtën situatë dhe të njëjtat marrëdhënie, por ku ka shumë më pak përgjegjësi, Rama i ka sot edhe me ato figura që dikur kanë qenë krerët zyrtarë të së majtës, si Nano e Meidani.
Dhe nëse me këta persona kostot janë minimale, ajo që mbetet është linja e neglizhencës dhe e moskokëçarjes që ai përdor në përgjithësi ndaj detajeve dhe elementeve në dukje pa peshë dhe rëndësi. Por që në një moment dhe në një vend të caktuar mund të prishin diku një peshore votash dhe përkrahjeje. Pa mohuar faktin që në sfond tashmë qëndron e palëvizshme një mëri e heshtur e një pjese të bazës socialiste, e cila teksa sheh sesi aleatët e shkathët lësëistë i kanë zënë vendet e punës sa hap e mbyll sytë nëpër të gjitha poret e shtetit, duhet të përtypë zhgënjimin në rritje ndaj asaj që kanë dëgjuar tre vjet më parë. Më pak se një vit nga ky moment, ato mijëra vështrime të ngrysura rrezikojnë të kthehen në vota të munguara.
Si të mos mjaftonte kjo qasje diku shpërfillëse e diku konfliktuale, Edi Rama i ka krijuar vetes dhe partisë së tij, me kalimin e viteve, një imazh (në fakt një kosto politike), i cili devijon vota dhe mbështetje në atë që mund të shihet si baza konservatore e PS. Shikoni çfarë ndodh në një ditë simbolike si 5 maji. Ndërkohë që Ilir Meta shkon në varrezat e Dëshmorëve, për t’i përqafuar një e nga një të gjithë veteranët që ndodhen aty, Rama dërgon atje zëvendësin e tij. Si për t’i hedhur edhe më shumë ujë të ftohtë një marrëdhënieje edhe ashtu problematike me votuesit e tij më besnikë ndër vite.
Pak javë më parë, kur disa media pranë LSI nxitën një thashethemnajë boshe në lidhje me gjoja spostimin e varrezave të dëshmorëve në Bathore (!), organizatat e veteranëve përdorën fjalët më të ashpra ndaj Ramës dhe qeverisë aktuale. Dikush kishte ngulur gishtin në plagë dhe reagimi erdhi.
Për të ardhur më pas, në orët e fundit, kur kryeministri i vendit e vendos veten në një konflikt krejtësisht të panevojshëm në lidhje me dy basoreliefe sportistësh të fasadës së vjetër të stadiumit “Qemal Stafa”. E këtu duket se ndërthuren insistimi për të kërkuar e gjetur “antikomunizmin” edhe aty ku ai nuk ndodhet (tek veprat e mbetura të real-socializmit), por edhe arroganca krejt pa vend për të vepruar arbitrarisht me objekte që kanë nga pas një status mbrojtës ligjor.
Nuk tingëllon e tepruar të thuhet sot se Edi Rama e sheh veten përballë një liste jo të shkurtër kundërshtarësh e armiqsh. Qeveria e tij e dyzuar mes reformash të mëdha dhe premtimesh të pambajtura, është sot e rrethuar nga një pesimizëm qytetar i prekshëm, që nuk ndërron formë dhe përmasë nga fjalimet e gjata dhe prerjet e shiritave.
Një vit para zgjedhjeve Ramës i mbetet fare pak kohë që të korrigjojë një kurs konfliktual që ka krijuar me shumë komponente politike e sociale brenda vendit.
I duartrokitur për ngulmimin që po tregon për reformën në drejtësi, por edhe për të drejtpeshuar disa sektorë të tjerë si arsimi dhe energjia, ai ka sot barrën e vështirë të ndërmarrjes së lëvizjeve të zgjuara taktike, që do të pakësonin kundërshtarët dhe pesimistët, e do të ngrohin sadopak përkrahësit e ftohur. Sepse në fund të fundit, si sot dhjetë muaj, ai do të përballet jo më me opinione, sondazhe dhe perceptime, por me shifra të vërteta.
Nëse vërtetë ai beson se nga regjia ku është ulur, e ka sërish nën kontroll të plotë situatën, edhe me opozitën, LSI, një pjesë të të vetëve, një porcion jo të vogël të medias, të shoqërisë civile dhe votuesve të vet kundër, atëhere ai ka një problem serioz me instiktin e tij politik. Megjithëse e ka thënë e stërthënë se nuk është politikan, posti që mban nuk ja jep kurrsesi luksin të sillet si njeri i zakonshëm. Por nuk i jep as luksin që të luftojë i vetëm kundër të gjithëve, të gjallëve e të vdekurve, frymorëve e sendeve, siç ka bërë një pjesë të mirë të kohës, pas verës së vitit 2013.
Megalomania dhe konflikti me socialistet si Blushi me shoke lidhja me parti qe ishin kundershtar ne zgjedhjet e 2013 si dhe indiferenca totale ndaj bazes socialistet do largojne Ramen dhe Rilindjen nga pushtet ne sherbim te oligarkeve si dhe nga vete partia socialiste qe kane uzurpuar.Rama me veprimet e tij koston do e shoh ne zgjedhjet qe vine prandaj Blushi me shoke duhet te shpetojne PS nga disfata
o zotni. Analizat apo opinionet tuaja (flas per ju opinion-beres te majte) prekin pa fund te verteta, gjysem te verteta, te paverteta, por te verteten me esenciale, filozofikisht dhe me te thjeshten, asnjehere dhe ne asnje rast nuk e zini ne goje. I referohem faktit qe Rama dhe stafi i ti qeverises nuk jante te mandatuar nga votuesit e majte. Asnje debat, asnje hierarki, asnje organizim apo organizem qe te funksionoje s’ka ajo parti. Farse nga fillimi ne fund e gjithe jeta e saj. Nga ana tjeter kush ka kurajon te mohoje se Rama ne masen me te madhe fitoren e tij ia ka borxh zgjedhjes qe shqiptaret bene si e keqja me e vogel. Ai keto i di mire, prandaj cfare i mbetet te beje? Sipas meje do vazhdoje te beje leve tek “e keqja me e vogel”. Do vazhdoje te dhunoje partine e vet bazuar ne nje ligj elektoral qe po e con vendin ne gremine. Do vazhdoje te jape koncesione a licenca publike apo tendera te jashteligjshem me qellim krijimin e fondeve te zeza per blerjen a manipulimin e elektoratit. E cfare i duhet instikti i politikanit kur ai i sheh gjerat si ne nje lufte primitivesh per ekzistence? Me thoni ju z. Minxhozi ku calon aresyetimi im. Faleminderit
Arsyetimi yt eshte pa lidhje dhe pa llogjike