Nga Sokol Balla
Në kompleksin e Deodoros nuk qëllova dhe nuk munda ta vizitoj. Aty luhej Rugby Sevens, ose disiplina më e re e këtyre Lojërave Olimpike, një version i shkurtuar i Regbi dhe që u provua të ishte shumë popullor. Kjo një nga arsyet, përse nuk isha në atë autobus dje, kur kolegët e mediave të huaja u qëlluan nga jashtë. Deri në këtë moment që po shkruaj, askush nuk ka konfirmuar se me çfarë dhe për më tepër me çfarë motivi u qëllua autobusi i medias TM.
Por siguria, është vetëm një nga shumë, tepër bile, problemet e kësaj olimpiade në fund të botës. Dje uji i pishinës së trampolinës u kthye jeshil. Në kontrast të plotë me ujin blu të vaterpolos në pishinën ngjitur. “Po të ishte verdh dhe jeshil do ishte patriotike”, tentoi ta kalonte me shaka zëdhënsja e komitetit organizues të Rio 2016, një referencë ngjyrave të flamurit të Brazilit. Ndryshe nga sulmi mbi autobusin e medias në Deodoro, për pishinën pati një shpjegim. Faji kishte qënë i një alge. Dhe më pas ujit të pishinës iu dha dritë jeshile (prapë jeshile) sa i përket higjenës. Ah higjena në Rio: nga t’ia nisësh? Nga Zika, supermikrobi apo kanalet e ujërave të zeza që derdhen lirshëm anash Fshatit Olimpik? Australianët refuzuan të jetonin aty, po ashtu edhe basketbollistët amerikanë të NBA që zgjodhën një krocierë luksoze në anën lindore të Rios. Justifikimi zyrtar ishte siguria ndaj superyjeve Louri me shokë, kartela e të cilëve vlen dhjetëra miliona dollarë. Por justifikim për disa, sa kohë në Fshatin Olimpik jetojnë bashkë Bolt, Xhokoviç dhe gjithe yjet e tjera joamerikane të NBA.
Siguria duhet thënë se është problemi më i vogël i Rios këto ditë. Nga rrugët është zhdukur policia super e korruptuar braziliane dhe kudo sheh vetëm ushtrinë. Lajmëruar kjo edhe nga posterat që i gjen kudo në rrjetet e transportit. Në fakt këto postera të ushtrisë janë shenja dominuese e faktit që tregon që në La Citade Maravilhosa (qytetin e mrekullueshem sic thirret Rio), po zhvillohet ngjarja më e madhe sportive e të gjitha kohërave, Olimpiada Verore. Një shenjë kjo, e kohës së re në të cilën jetojmë, kur kërcënimi terrorist pritet me të njëjtin ankth si medalja e 21 e artë e Michael Phelps: një çështje jo nëse, po thjesht kur, do të ndodhë.
Në Avenida Atlantica, emri zyrtar i Copacabana, dy herë ushtria shpërthen pako të dyshimta, njëra në vijën e finishit të pistës së çiklizmit, improvizuar në një pjesë të shëtitores së famshme buzë oqeanit. Aty ku gjendet edhe Arena e Beachvolley, ose ku tifozët janë më të shumtë se në çdo aktivitet tjetër, dhe kur dalin mund të flasin për gjithçka që lidhet me bikinit e vajzave që torturohen me breçka alabraziliane, të arrijnë një rezultat sportiv që nuk i interesojnë askujt. Sepse në beachvolley nuk shkohet për rezultatin, por për të parë Sandrën, Barbarën dhe lojtaret e tjera të këtij sporti super të vështirë por që luhet me rroba banjo.
Por që të vish nga Parku Olimpik në Copacabana është një aventurë më vete. Java e parë e Olimpiadës provohet torturuese për mediat dhe delegacionet. Transporti për ta është falas, por askush nuk di asgjë se ku janë stacionet dhe cilat janë oraret. Nuk dinë asgjë vullnetarët (po në cdo rast mbi 95 perqind e tyre nuk dinë as anglisht) por shpesh nuk dinë as shoferët. Në pesë ditë në së paku po aq raste, jam gjetur në autobusin e duhur por në destinacionin e gabuar. Shoferët shpesh nuk dinë si shkohet në vendin ku duhet të shkojë autobusi i tyre. Ti nisesh për të parë peshëngritje në Rio Centro, aty ku është ky pavijon, por përfundon në Parkun Olimpik. Ditën e hapjes, kur autobusët për median duhet të ishin më të shpeshtë për Maracana’ në fakt u ndërprenë në 1230 të drekës. Mjetet më të sakta mbeten ato publike, por ku siguria për njerëzit e medias apo delegacionet nuk është 100 përqind e garantuar. Stresi po.
Organizimi i Lojërave ka kaluar 7 miliardë eurot dhe organizatorët paralajmërojnë se kosto deri në fund mund të dyfishohet. Po ku kanë shkuar paratë? As kur del nga aeroporti e deri kur i afrohesh Barra de Tijuca, parkut jugor të qytetit ku është Kompleksi Olimpik sheh shumë pak banners, reklama, apo sinjale që të të tregojnë se këtu po mbahet Olimpiada Verore. Por paratë kanë ardhur. Nga KON-i dhe sponsorët. Që të kuptosh se ku kanë shkuar, mjaft të cosh kanalin tv nga Globo që transmeton Olimpiadën tek cdo kanal tjetër: të gjithë transmetojnë live seancat pa fund të Senatit Federal në Brazilia, i cili pas maratonave të gjata, votoi 55 me 22 vota, në favor të nisjes së procesit zyrtar hetimor për korrupsion të presidentes Dilma Yussef. “Jam e pafajshme”, thërriste ajo të nesërmen e vendimit, dhe pas saj i trembur një tjetër ish president, Lula. “Unë kam firmosur atë që kanë firmosur edhe paraardhësit e mi. Të zbatosh një traditë nuk është krim”, ulërinte Dilma me paraardhësin e saj në kurriz. Të dy të hetuar. Por me siguri të dënuar tashmë nga historia pasi vranë ëndrrën braziliane të begatisë e të lumturisë. Brazili prej një dekade është pjesë e nocionit mediatik dhe ekonomik të BRICS. Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut vende që jo vetëm duket se i rezistuan krizës ekonomike globale por shënuan rritje dyshifrore. Koha provoi gënjeshtrën e madhe. Rusia, Kina kanë hyrë gati në stanjacion. Brazili është në prag të krizës ekonomike që pritet të godasë pas Olimpiadës. Këtu të gjithë i ndruhen skenarit grek të 2004. Me shaka të thonë së Lojërat Olimpike dhe krizën i kanë dhuratë nga Greqia e lashtë dhe ajo moderne. Një fabul jo e largët për shtetin më të madh të Amerikës Latine, stabiliteti politik, ekonomik i të cilit ka ndikuar dhe ndikon në këtë pjesë të botës ku qeveritë dhe qiejt janë të paqëndrueshëm. “E majta është në fuqi prej 15 vjetësh, por tani besoj zgjedhjet i fiton e djathta” më thotë një gazetare shqiptare Dafina Thaçi nga Kamenica, e cila ka zgjedhur të shkollohet në Rio. Duket se rotacioni është i domosdoshëm, por e djathta në pushtet në Brazil, ashtu si kudo tjetër në Amerikën Latine ka lidhur kujtime jo të largëta me Diktaturat ushtarake.
Këtu në Brazil zgjati deri në vitet 70. Gjurmët iu ndjenë edhe në ceremoninë e hapjes, kur u luajt muzika e një kompozitori që ju desh të linte vendin si pasojë e përndjekjes politike. Është vështirë të ndash sportin, politikën, korrupsionin dhe Olimpiadën në Brazil. Ashtu si edhe suksesin e tyre më të madh perzierjen racore. Aq sa antropologët flasin sot për një racë të re, Brasilieros.
Brasilieros është edhe Olimpiada e Rios. E para në Amerikën Latine. Por problemet e saj nuk janë të reja. Akuzat për korrupsion, shpërdorim parash, rreziku nga terrorizmi apo Dopingu. E re është vetëm skena e magjishme e Qytetit të Mrekullueshëm. Gjithcëka tjetër është e vjetër, e zakonshme dhe e degraduar. Edhe këto lojëra janë shenja më e freskët e fundit të Periudhës së re të Civilizimit Modern të pasluftës.
Një fund i pashmangshëm, ashtu si i faraonëve, Otomanëve apo Maya dhe Aztekëve. Simptomat janë të njëjta: megalomani, korrupsion, paaftësi dhe përgjakje.
Por deri atëherë ka ende kohë. Olimpiadat dhe rekordet botërore, medaljet e arta dhe heronjtë, nga ato te skuadrës se emigrantëve, të xhudistes braziliane nga favelat apo Michael Phelps japin ende frymëzim e shpresë. Shpresa vdes e fundit thonë. Por shpresa është e para që lind pas një fundi të pashmangshëm. Shpresa, është themeli i një bote të re.
Të cilën nuk e njohim akoma. Nuk e njohin as në Rio. Ashtu si Krishti i rilindur në Corcovado, të gjithë janë me krahët hapur nga qiejt. Po prej tyre dje erdhi vetëm shiu.
Ah po. Këto janë lojërat e para verore që luhen në dimër. Sepse Rio është në dimër akoma. Por paraja këtu ka shtyrë edhe aksin e Tokës dhe ka sjellë para kohe stinën e ngrohtë.
Jo për qiellin ama. Me atë i bëjmë gjithmonë gabim llogaritë.
*Posaçërisht për JavaNews.al