Nga Ben Andoni
Ka një përgjigje të thjeshtë për gjëndjen e sportit shqiptar: askush nuk është i interesuar për të rinjtë. Kuptohet se do të interesohen në prag të fushatës elektorale, por të mjafton të njohësh problemin e papunësisë, shkollimit, jetës së tyre, përdorimit, karrierës etj., dhe do kuptosh, që sporti s’mund të bëj përjashtim.
…
Pak vite të shkuara, presidenti i atëhershëm i Komitetit Olimpik Shqiptar (KOKSH-i), Agim Fagu, mbase sportisti më i mirë shqiptar i të gjithë kohërave në basketboll, u anatemua për akuzat e tij ndaj olimpizimit shqiptar. Atëbotë, veç dorëheqjes, ai shpalli hapur mendimin e tij: Drejtuesit e KOKSH-it janë të gjithë të korruptuar! Dhe, përmes një deklarate ka shpjeguar edhe arsyet e dorëheqjes së asokohe: “Injoranca dhe arroganca është e frikshme kur vjen nga shumica dhe nëse kjo situatë tolerohet për shumë kohë, atëherë dëmi bëhet i pallogaritshëm”.
Pesë vjet më vonë, teksa pothuaj po kalojnë dy olimpiada, Shqipëria, vuan realisht pasojat e një drejtimi sistematik jo të mirë olimpik, si edhe mungesën e një strategjie reale për sportin nga ana e shtetit. Kësaj i shtohet mungesa e efikasitetit të Ligjit për Sportin dhe mbi të gjitha, mungesa e vullnetit për të bërë diçka afatgjatë për sportin shqiptar. Sa për planet afatshkurtra, ato shuhen sapo shpallen.
Shembujt janë të pafundëm, por ato fillojnë nga më banalet: Të mendosh se ke katër vjet kohë dhe të mos kesh gati një kostum, të mendosh se Luiza Gega dhe Izmir Smajlaj, që garojnë në atletikë, nuk kanë asnjë pistë me kushte të pranueshme për stërvitje. Të mendosh se notarët Nikol Merizaj e Sidni Hoxha dhe peshëngritësja Evangjeli Veli stërviten jashtë Shqipërisë me shpenzimet e tyre, kurse Brikeni gati ishte harruar në atë cep ku punonte i vetëm. Asnjë lloj financim real për talentin sportiv, por më shumë se kaq asnjë ide për zhvillimin e sportit. Ky fakt e bën qesharak shkuarjen e ministres shqiptare në Rio de Janeiro, ashtu si rendjen në Rinas, kur dëgjon sukseset e sportistëve shqiptarë, të cilëve vetëm u premton gjëra të pambajtshme.
Sportistët tanë, produkt i sakrificës familjare
Briken Calja për fat në orët e para të mëngjezit (koha jonë lokale) arriti vendin e 6 në Rio. Një rezultat i mrekullueshëm duke ditur kushtet e vështira ku stërvitet dhe thurr ëndrrat e tij. Gjatë garës Briken Calja ngriti 145 kg në shkëputje dhe 181 kg në shtytje, anipse në dygarësh shumë kilogram poshtë vendit të tretë, që e meritoi sportisti nga Kirgistani Izzat Artykov, i cili ngriti 339 kg. Kurse vendi i parë është gati i paarritshëm, sepse i takoi kinezit Shi Zhiyong, i cili ngrit në dygarësh 352 kg (medalja e argjendtë i shkoi turkut Daniyar Ismayilov i cili ngriti 351 kg). Veç tij, dy ditë më parë, Evengjelia Veli, e cila u ftua me ftesë olimpike (pati shumë të tilla pas mungesës së sportistëve rusë), mori vendin e tetë një rezultat vërtet i kënaqshëm në kushtet ku stërvitet ajo dhe inkurajohet.
Tre ditë më vonë do jetë radha e përfaqësimit të Luiza Gegës, shpresës të vetme shqiptare për një rezultat mbi të sipërpërmendurit, falë dhe fitores së saj të fundit.
Ekipi Olimpik i Shqipërisë ka gjithnjë një përfaqësim të limituar sportistësh në aktivitetet olimpike, që me këtë rast tregon dhe nivelin e saj të sportit. Në shumicën e rasteve ata inkurajohen nga familjarët që edhe i ndihmojnë direkt por edhe sponsorë modestë lokalë. Nuk kanë kushte stërvitje, kurse atletika ka mungesa seroze. Duke marrë parasysh se pjesëmarrja në Lojërat Olimpike është me kualifikim, mund të nxjerrësh lehtë përfundimin. Përveç futbollit, që shteti po punon për infrastrukturën e pak stadiumeve, duhet sqaruar se mungojnë totalisht fushat dhe pistat, por edhe vend stërvitjet e sportistëve të disiplinave të ndryshme. Sportistët e shtangës dhe Brikeni e shpalli hapur se në kushtet ku punojnë është e vështirë, kurse Gega kushtet që stërvitej, i bëri prezente në një nga mediat e huaja me të shquara në botë, duke treguar indirekt edhe dështimin total të shtetit shqiptar. Kuptohet se ekipi i tanishëm olimpik ia ka vënë fajin të kaluarës, paçka se stafi është gati i njëjtë veç kryetarit Bezhani. “ Ne kemi mbi 8 vjet që fjala sport nuk dëgjohej më në asnjë zyrë shteti, nuk kemi pasur një strategji për ta zhvilluar sportin, ku të gjithë besoj e kuptojnë këtë ngërç institucional, sepse drejtuesit e mëparshëm, sportin e shikonin si një lojë dhe kurrë nuk kanë menduar dhe respektuar vlerat e sportit. Ndryshon tani kur sporti po vlerësohet, por kuptohet që rezultatet nuk mund të vijnë menjëherë. Ne duhet të pranojmë se numri i sportistëve në këtë olimpiadë ka qenë dhe më i vogël pas problemit të dopingut që kishim me Federatën e Peshëngritjes, e tashmë dihet se peshëngritja do marrë pjesë vetëm me një sportist e jo me ekip. Për mua si president, e rëndësishme është që gjërat po ndryshojnë, dhe ky është një sinjal i mirë për sportin, pasi po shohim disa projekte për sportin që ka qeveria”, ka thënë Bezhani për Java.
…
Kjo s’i ka penguar sportistët që të ngrihen hapur dhe akuzat kanë qenë nga të çfarëdollojshmet, duke i dhënë shkas dhe përfshirjes së medies. Kjo bëri, që pak orë më parë kryetari i misionit Olimpik dhe presidenti aktual i KOKSH të bënte thirrje për qetësi dhe të linin sportistë të punonin…
Mungesa e një imazhi pozitiv
Duhet thënë se në këtë edicion olimpik shqiptarët kanë prodhuar një figurë të keqe.
E para, lidhet me unitetin e ekipit olimpik dhe përfaqësimin kombëtar që ka treguar një mungesë totale etike. Prej ditës së parë dhe besojmë e deri në vazhdim ekipi shqiptar nuk jep një press-neës por vetëm bëma. Faqet e shtypit të përditshëm për çdo ditë japin gati skupe për 6 sportistë tanë. Duke filluar me peshëngritësin që akuzoi direkt KOKSH edhe pse pa të drejtë disi. Caljes nuk i takon bursa olimpike prej dënimit që ka marrë, por jo ndihma e KOKSH, kurse zbulimi që u bë për mosmarrjen pjesë në ceremoninë hapëse të peshëngritëses Evangjeli Veli, e ftuara e fundit në Olimpiadë pas përjashtimit të Rusisë, ishte në kufijtë e humorit. Paradoksi nuk kishte një kostum. Por kjo s’mbaroi këtu sepse ekipi shqiptar zbuloi se vetë Presidenti i Federatës së Peshëngritjes, Elez Gjoza i kishte zënë vendin trajnerit të një sportisti, por u ndalua në momentet e fundit. Dhe, sërish s’mbaron këtu pasi është bërë gabim edhe regjistrimi i notarit Sidni Hoxha, i cili duhet të garonte në një bateri të papërshtatshme për të.
E gjithë kjo tollovi e Shqipërisë është amplifikuar shumë pas përfaqësimit të mrekullueshëm të Kosovës, ekipit tjetër shqiptar.
Dhe, vetë KOKSH
Por, ndërkohë që Bezhani flet për shtetin, nuk duhet harruar roli i dobët i vetë Komitetit Olimpik, që ai drejton. Federatat e sporteve janë thjesht subjekte të përfolura që vazhdimisht kanë qenë objekte anatemash për njëri-tjetrin, strukturat e KOKSH nuk funksionojnë dhe për më tepër në Shqipëri nuk ka përgjegjës për rezultatet e dobëta, madje pa vendosur gishtin e fajtorit. KOKSH duket se ka fare pak lidhje me olimpizmin, që është katandisur në disa aktivitete pa impakt. Në fakt është edhe vetë sistemi shqiptar i sportit që duhet të quhet i dështuar, pasi mungon përkrahja e talenteve ndërsa korrupsioni, papërgjegjshmëria dhe shikimi i sportit si burim fitimi i pak njerëzve pengon gjithçka. Mungojnë programet reale afat-shkurtëra dhe nuk testohet asgjë për segmente të ndryshme të të rinjve shqiptarë. Kurse KOKSH vetëm sodit dhe i mungon kthjellimi për ide të reja. “Sistemi ynë i sportit është i dështuar, sepse pengon talente të shkojnë në majat e mjeshtrisë”, citojmë Fagun, i cili që prej asaj dite kur dha dorëheqjen vuri gishtin në një plagë shërimi i të cilës do marrë ende shumë kohë.
Me pak fjalë, mungesa e transparencës nga shumë individë që janë në piramidën e sportit, kakofonia e zërave të pakuptimtë, përdorimi i sportit për të përfituar pak njerëz, janë kthyer në gangrenë për sportin shqiptar, që i shtohet dhe menefregizmi i plotë i shtetit shqiptar, të sotëm përfaqësuar nga PS dhe LSI dhe të djeshëm edhe më shumë akoma përfaqësuar nga PD. Të mjafton të dish sesa pa interes shkruhet për sportin nga politikanët në progarme të kuptosh se sporti do vazhdojë të jetë i dështuar.
Sa te jete ne krye te KOSH nje krye hajdut dhe i papergjegjshem keshtu do jete perfaqesimi i Shqiperise me skandale nga me banalet.!!