Nga Spartak Ngjela
Dje u dëgjua qeveria teknike si opsion në Tiranë. Një nivel politik primitiv ky. Të gjithë shqiptarët e kanë shpresën te Reforma në Drejtësi; kurse Saliu nxjerr lolon e Partisë Demokratike të kërkojë qeveri teknike, që kjo të frenojë Reformën.
Në fakt është shthurja përballë aktit të fundit, që sjell edhe shthurjen mendore të tyre. Por ka diçka më shumë se kaq: Berisha ka alergji patologjike për shpresën e shqiptarëve.
Me Reformën në Drejtësi, për faktin që ajo drejtohet nga amerikanet dhe gjermanët, shqiptarët po rifitojnë optimizëm dhe shpresë për të ardhmen e tyre. Por optimizmi i shqiptarëve është “vdekje” për Saliun.
Në anën tjetër të arsyetimit, duhet vënë në dukje se Reforma është fundi i Berishës dhe i Metës. Kuptohej se shpresa e tyre ishte ndryshimi i konfiguracionit politik. Dhe në fakt e tentuan, por ja që nuk e realizuan dot.
Dhe s’kishin sesi. E pra, të gjithë presin Reformën dhe hapjen e negociatave me Bashkimin Europian, kurse Saliu kërkon ta bllokojë Reformen me një qeveri kukull. Naiv. Edhe pse kjo është e vetmja rrugë për të, nuk arrin ta kuptojë se ka përballë politikën amerikane. Por paniku i humbjes është shumë i rëndë, dhe shpresa e ligësisë gjithmonë kalon në patologji: kërkon të kapet edhe te një fije bari për të mos u mbytur në një det të trazuar. Kështu ka ndodhur historikisht me të gjithë ligësinë politike, kur kjo ka qenë në prag të falimentimit. Por Saliu ka edhe një dobësi tjetër intelektive: kur bën aktin kundërshtues aktualisht, ai e harron faktin që nuk është në pushtet.
Ju mundi Rama, Sali, por jo vetëm, por me Amerikën dhe me Bashkimin Europian! Turp të kesh, Sali ziu, që po armiqëson Partinë Demokratike me Perëndimin, sepse Uashingtoni dhe Berlini nuk pranojnë korrupsionin tënd dhe të taborit tënd të shterpëzuar intelektualisht.
Saliu del e u thote veglave të tij: “nuk do ta lë Shqipërinë që të bëhet Sierra Leone!”; dhe ata e degjojnë si injorantë. Krijon brenda vetes klithma antiperëndimore dhe kërkon sërish që të vijojë edhe përçarjen krahinore në Shqipëri, edhe atë fetare. Qe të sjellë përplasje. Berisha gjithmonë ka qenë i dominuar nga irealja që e mendon në interes të tij.
Kurse Meta nuk iu përgjigj. Në fakt, edhe pse në të njëjtin hall me Saliun, ai nuk kaloi deri në marrëzi për “qeverinë teknike”. Sepse në fakt nuk i kanë numrat në Parlament. Po si mendoni, o të mjerë, që Amerika nuk i ka mbështetësit e saj në një vend i cili është 95 përqind proamerikan? Por, si qëllon pra që, gjithmonë politika shqiptare, kur është në regres personal, shkon te Haxhi Qamili?
Por këtë herë Haxhiu është pa ushtri, sepse haxhiqamilasit nuk janë në pushtet. Sali, ti si kampion i Perëndimit, pse i kundërvihesh politikës amerikane në Shqipëri? Pse i kundërvihesh kushteve të Bashkimit Europian? Këtë po pyesin shqiptarët sot. Dhe përgjigjen ata e dinë.
Dëshpërimi të çon te fëmijëria. Keshtu ngjajnë të jenë edhe antireformistët sot: në një gjendje fëminore, sidomos kur me naivitet u kanë kërkuar lobistëve që vetë paguajnë në Uashington dhe në Bruksel, që lobistët e paguar të punojnë për largimin e dy ambasadorëve në Tirane: Lu, dhe Vllahutin. Edhe lobistët janë pataksur, sepse e dinë që ambasadori është përcjellës i politikës, dhe jo bërës i saj.
Ja, këtu në këtë nivel kanë rënë hallemedhënjtë e korrupsionit në Shqipëri. Po tallet e gjithë politika perëndimore me ta, por të paktën tani dihet që këta të humbur nuk kanë lidhje as me Shqipërinë dhe as me shqiptarët.
Shqiptarët po presin me shpresë Reformën që do t’i fusë në Bashkimin Europian; pa le ta quajnë neoosmanët Sierra Leone këtë bashkim.
Je I madh.