Nga Ben Andoni
Në pak ditët e fundit, ai është faktorizuar, është anatemuar por ka marrë edhe disa vlerësime diplomatike. Në një farë mënyre ka kaluar atë provim, bashkë me PD-në, shi atë që duhet ta kalonte paçka kalkulimeve bizarre dhe kthesat e habitshme në momentet e fundit, që e treguan drejtuesin e një partie pa shumë bazament dhe mbi të gjitha atë vetë pa logjikën e duhur për të udhëhequr një vullnet opozitar.
Në ditët e fundit “suksesin” e Bashës për reformën, e kanë amplifikuar shumë herë jashtë kontekstit të suksesit real të miratimit të draftit, e këtë, ai po mundohet t’ia vërë përballë një grupi të vogël njerëzish të PD-së, ata që në një farë mënyre e treguan hapur vullnetin pro, por edhe kundërshtimin ndaj Bashës, e me këtë rast edhe frymën reale në parti të post-Berishës.
Dhe, kjo po e kthen Bashën disi qesharak, pasi tani kur i duhej të rishikonte realisht staturën e vet me dhuratat që po i jep qeverisja e Ramës falë gabimeve të shumta, sidomos në ekonomi, por dhe në performanat e dikastereve të ndryshme, ai bashkë me njerëzit e vet të pakët fërkojnë duart për një realitet të ri qeverisës, pa as edhe një aksion opozitar.
Ndërkohë, në vend të bënte një lëvizje, duke dalë nga SHQUP-i dhe t’i drejtohej njerëzve, jo në mënyrë sporadike siç ka bërë deri më sot me pak skenografitë megalomane tip-Ramë, por me ide të qarta, pasi po gëzon një mini-ide faktorizmi, që ia dha lëvizja e Metës dhe konjuktura e fundit, ai dhe merret me anti-ShQUP-istët.
Kjo e bën Bashën, të mbetet konfuz, ndërkohë që po kthehet në bezdisës prej ankthit për qeveri teknike, siç e mëtojnë sot si aksion shumë nga njerëzit e tij. I gjithë ky peizazh e bën ende më të lodhshëm një njeri, që s’ka dhënë deri më tani asnjë garanci për drejtim. Shembulli i fundit është performanca e Bashkisë së Tiranës, më parë ajo e drejtimit katastrofik të dy Ministrive, por edhe koha jo e pakët gjatë të cilës ky njeri gati nuk po merret me asgjë, përveç aranxhimeve të momenteve të fundit, ku është dashur thjesht vullneti politik.
Realisht, votat e shumë të pakënaqurve brenda kampit socialist, por edhe atyre që po nuhasin që nuk do jenë në listat e ardhshme, mund të ndijnë në një mocion mosbesimi për qeverinë Rama, por asesi në mundësi për zgjedhjet e parakohshme. Pasi Shqipërisë e presin shumë e shumë sfida. Deri në fillimin e implementimit të draftit pret ende një rrugë e gjatë, ku PD-duhet futur dhe angazhuar realisht qoftë dhe me zyrtarët e saj, që po i anatemon Basha dhe që nuk po e kalkulon dot se janë njerëzit e rreshtit të parë, që po i tregojnë se ardhja e tij në pushtet do të jetë e vështirë.
Mesazhe të largëta, paçka bindjes së tij natyrore, ka marrë edhe prej Berishës, që duket i pakënaqur prej pirueteve të tij të vazhdueshme, por edhe mungesës së konsekuencës për ide, që duhet thënë se i kanë munguar. Jo më kot, Berisha mbetet faktori kryesor negociues të PD-sa. Tentativat e fundit të Bashës për t’u shkëputur nga Berisha tani nuk mjaftojnë sepse te PD ka kohë që mendojnë për zëvendësin e tij edhe pse ka ende kohë. Mu edhe ky fakt i fundit të bën të besosh se pengesa më e madhe e opozitës në këto mes-ditë vere, ku maxhoranca po i vë pengesa dhe stërkëmbça të njëpasnjëshme vetes, është vetë ai, Lulëzim Basha! (Java)