Nga Skënder Minxhozi/
Është një periudhë mjalti kjo mes PD dhe LSI. Imazheve filmike, të cilat tregojnë sesi Lulzim Basha lavdëron Ilir Metën në sy të mikpritësve në Konventën Demokrate në Filandelfia, i bashkohet dalja publike e Berishës në Tiranë, i cili kujton se mes dy partive ka një traditë bashkëpunimi. Megjithëse reforma në drejtësi mbylli siparin e ndryshimeve kushtetuese në 21 korrik, e po kalon në atë të miratimit të ligjeve të cilat plotësojnë elementet konkrete të draftit, skena politike është hedhur tashmë në temën e dytë të nxehtë të kësaj vere: atë të aleancave politike.
Në orët e para që pasuan mbrëmjen historike të 21 korrikut, pati një konvertim të habitshëm rolesh brenda shumicës qeverisëse. Nëse deri atëhere kishte qenë LSI ajo që kishte hedhur në treg tezën e qeverisë teknike dhe të largimit të Metës nga kryesia e Kuvendit, në ditët që pasuan ishin socialistët atë që bënë të njëjtën gjë, ndërkohë partnerët e tyre ulën tonet. Reagimet e Xhafës e Braçes për “mosfunksionim” të koalicionit, duket se morën përgjigje formalisht qetësuese nga Vasili e Manjani, të cilët shpejtuan të deklarojnë se koalicioni funksionon.
Këtë bëri edhe Ilir Meta pak më parë nga Filadelfia, kur u shpreh se problemet brenda maxhorancës duhen diskutuar hapur dhe pa komplekse. “Jam gati të shkoj në grupin e PS ose të vijnë ata tek ne”, tha Meta për VOA, duke e kanalizuar krizën e dukshme brenda shumicës, tek probleme që u shkaktuan më së shumti nga valët sizmike të reformës në drejtësi.
Këtu qëndron në fakt edhe problemi qëndror që ka në këtë moment shumica e majtë. Pra tek identifikimi dhe selektimi i atyre që ishin përplasje e fërkime të prodhuara nga një reformë delikate dhe plot tension, me atë që është lista e problemeve të vërteta mes Ramës dhe Metës, që nuk lidhet me korrigjimin e drejtësisë, por me dinamikat e bashkeqeverisjes trevjeçare.
Shumëkush sheh se afrimi mes PD e LSI mund të jetë një gjest taktik i Metës për të rritur presionin mbi PS, meqë kemi hyrë edhe në një vit elektoral. Ku LSI, për shkak të sistemit zgjedhor në fuqi, do ta ketë të vështirë të shkojë e vetme, pa një aleancë paraprake me njërin ose me tjetrin kamp.
Nga ana tjetër, nëse sjellja e kreut të Kuvendit ka brenda diçka më shumë sesa një lëvizje taktike, me shumë gjasë spostimi i tij eventual djathtas do të konsumohej përmes kalimit në një qeverisje teknikësh, më shumë sesa në një ndryshim spektakolar numrash në parlament, duke nxjerrë PS në opozitë. “Era” e keqe e një lëvizjeje të tillë do të ishte shumë e fortë për hundët e shumë shqiptarëve dhe Ilir Meta e di mirë këtë. Edhe propozimi i tij i para pak ditëve për qeverinë e ekspertëve, duket se kishte parasysh pikërisht këtë rrethanë.
Duhet pritur shtatori për të kuptuar se si do të projektohen marrëdhëniet mes aleatëve të sotëm, si dhe e opozitarëve që rrinë në pritje matanë gardhit parlamentar. Ai do të jetë momenti kur do të kuptohen sesa të vërteta kanë qenë “provat teknike” për destabilizimin e kuadrit politik para 21 korrikut dhe sesa karburant ka mbetur realisht në serbatorin e të majtës qeverisëse, drejt zgjedhjeve të verës së ardhshme.
Jam dakort me Minxhozin se Meta po kryhen levizje politike provokuese por keto lidhen me vet. pozicionin e Rames ne bazen socialiste ku ai mbasi okupoi me mashtrime zgjodhi nje qeveri me miq dhe partner bisnesi qe nuk kane as lidhje dhe.as kontrbute ne PS dhe po ndjek nje program ekonomik liberal sipas konsulenteve sorosian te Harvardit duke vazhduar akoma me koncensionet korruptive sot me emertimin PPP qe kane shkaktuar barre financiaore per tshqiptaret dhe grabitje te pasurise publike prandaj Rama dhe.Rilindja e tij duhet te dalin si subjekt elektoral jasht PS per te pare se sa e perkrahin votuesit e majte