Miratimi i ndryshimeve Kushtetuese në orët e para të mëngjesit të 22 Korrikut i ka hapur rrugën përzgjedhjes së 31 zyrtarëve të lartë të sistemit të drejtësisë. Procesi do të nisë me përzgjedhjen e 21 anëtarëve të Komisionit të Vettingut, që do të përbëhet nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Kolegji i Apelimit dhe dy Komisionerë Publikë.
Kandidatët dorëzojnë aplikimin tek Presidenti, që ka 45 ditë për të nxjerrë listën e atyre që kualifikohen dhe jo, në të kundërt kjo kompetencë i kalon Avokatit të Popullit. Është më tej Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit që vlerëson kandidatët dhe i kalon 3 lista Kuvendit, në të gjelbrën kandidatët nuk plotësojë kriteret formale, në të bardhën janë kandidatët e kualifkuar, në të zezën, të s’kualifikuarit.
Listat filtrohen nga komisioni ad hoc me 6 anëtarë të Kuvendit, tre nga pozita tre nga opozita. Më pas një komison tjetër me 12 anëtarë zgjedh në mënyrë elektronike 12 kandidatë për Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe komisionerët publikë, ndërsa një komison i tretë zgjedh në të njëtën mënyrë, 7 anëtarët e Kolegjit të Apelimit.
Kandidatët i kalojnë Kuvendit për votim me 3/5 brenda 10 ditëve. Në rast dështimi, synohet votimi me 94 vota. Nëse votimi dështon, procedura përsëritet dhe Kuvendi duhet të sigurojë 94 vota për ta rrëzuar atë. Nëse lista nuk rrëzohet me 2/3, kandidatët konsiderohen të zgjedhur.
Një procedurë e vështirë është edhe për zgjedhjen e 10 anëtarëve të dy institucioneve që mbajtën peng deri në fund konsensusin, KLGJ dhe KLP. 5 anëtarët jo juristë të dy institucioneve zgjidhen 2 nga radhët e avokatëve, 2 nga trupa e pedagogëve të fakulteteve të Drejtësisë dhe Shkollës së Magjistraturës dhe 1 nga shoqëria civile.
Sekretariati i Kuvendit dhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit verifikon nëse kandidaturat i përmbushin kriteret kushtetuese dhe ligjore, një proces që kryhet jo më vonë se 10 ditë nga paraqitja e tyre. Një nën/komision i krijuar nga Komisioni Parlamentar për Çështjet Ligjore, me 3 anëtarë nga mazhoranca dhe 2 nga opozita përzgjedh kandidatët me të paktën 4 vota.
Nëse nuk arrihet shumica e kërkuar, kandidatët përzgjidhen me short. Lista e kandidatëve i shkon Kuvendit, i cili brenda 10 ditësh e miraton atë me 2/3 e të gjithë anëtarëve.
Për kandidatët e Këshillit të Lartë Gjyqësor, nëse për 3 herë me radhë Kuvendi nuk miraton listën e paraqitur, ata konsiderohen të zgjedhur. Ndërsa për Këshillin e Lartë të Prokurorisë kjo procedurë zhvillohet 2 herë. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit do të mbështesë procesin e rivlerësimit nëpërmjet monitorimit dhe mbikëqyrjes së të gjithë procesit.
ma.me