Nga Ben Andoni
Ky është një roman frëng bashkëkohor por shumë mirë mund të vendoset kudo si ngjarje. Është një roman që ka njohur suksese të jashtëzakonshëm, sipas reklamës që i është bërë, por edhe që bindesh nga naiviteti i dashur me të cilën është shkruar nga Katherine Pancol, që ka marrë vlerësime ngado.
Një histori ku e mira fiton në fund dhe të metat, pasiguria, tradhtia, shtirja, të shoqërojnë kudo, ndërsa cilësia e mirë, vullneti, mund të ndryshojë gjithçka. Një histori e fryrë së shumti nga autorja, por edhe disa mini-histori që gërshetohen këndshëm në strukturën kryesore të veprës e bëjnë tërheqjen e veprës më të madhe, sidomos për lexuesin që shijon vetëm fate rrëfimesh. Shumë herë mini-historitë ato duket se marrin peshën specifike të linjës kryesore, ku Jozefina heroina kryesore, bën jetën e saj si beqare pasi ndahet me të shoqin, fillimisht e trembur nga e panjohur dhe stigma që e mbart dhe ia kanë vënë njerëzit e saj si e paaftë. Gruaja arrin të kalojë sforcon e parë por edhe të përballet vazhdimisht me kohën, vazhdimisht me paragjykimin e familjes së saj, që e nënvleftësojnë por edhe që nuk pëlqejnë zgjidhjen e saj. Profesorja e një shekulli të vyer për kulturën frënge (shek.. XII) jo vetëm që arrin të mbijetojë, por arrin të ndjejë kënaqësinë e vlerës së saj, si edhe të marrë më të mirën nga shekulli i saj i errët mesjetar, që i ka dedikuar jetën. Thjesht t’i gjejë dobinë një jete krejt të zbrazët si e saj.
Jeta në një krah të hedh por në tjetrën të merr. Në këtë interval Jozefina përmes fatit të saj na plotësohet me një galeri të tërë personazhesh që sorrollaten me karaktere përfaqësuese, por që për hir të së vërtetës e stisin pak veprën. Janë një seri e tërë meshkujsh që autorja mundohet t’i tregojë por kuptohet se s’ia ka dalë t’i gdhendë si duhet, pasi nuk duket se e njeh mirë anatominë psiqike mashkullore, ndërsa nga ana tjetër personazhet femërore janë më të arrira dhe aty gjen të gjithë përfaqësuesen femër të kontinentit tonë: vetë dritë-hijet e personazhit tonë, njeriun e përkorë që i është afruar vetëm shkencës, të fortën dhe egoisten që nuk hap rrugë (mamaja e saj), fjalamanen, një tjetër që do të ngecë, gënjeshtaren që është e motra, kinsen, femrën e re që lakmon, një tjetër që për para është gati të bëjë gjithçka, apo edhe femrat e veçanta, si mikja skoceze e personazhit tonë etj.
Edhe pse ka teprime në historinë e saj sepse është një trill që përfshin disi mini-linja, mund të thuhet se romani të tërheq për të marrë vesh mbylljet e shumë historive, që për hir të së vërtetës ti e di që me kohë sesi do të kalojnë dhe që vëzhgojnë si sytë e krokodilit, që ndjekin realisht të shoqin e saj për ta gllabëruar së fundi. Titulli, meqë ra fjala, është një gjetje tejet intelektuale letrare.
Nga ana tjetër, autorja Katherinë ka një rregull të sajin për të mos e lënë lexuesin të prehet në momentet e saj të gëzueshme apo në atë të trishtueshme sepse në mënyrë shumë të zhdërvjellët na ndërthur fate personazhesh të tjera, ku në asnjë moment nuk e lë personazhin e saj në zi. Duket se ka diçka nga mirësia letrare e Dikens për personazhet e veta.
Struktura është e thjeshtë megjithë kompleksitetin e ngjarjeve të veta dhe autorja nuk ka dashur të merret me eksperimente letërsie, ajo ka pasur një histori dhe mendon vetëm sesi ta japë sa më mirë për publikun e saj, që duhet thënë se e përthith me kaq shumë fate që ka vendosur.
“Duhet ta mbaj këtë çast. Duhet që të zgjasë edhe pak, që të më ngulitet në kujtesë. Çasti kur ai ka pushtuar së qeni burrë, që dua që më torturon, për t’u bërë thjesht një burrë, një shok, ende jo ik. Të mat kohën që më është dashur ta arrij këtë rezultat. Ta shijoj këtë çast, kur shkëputem nga ai. Ta bëj një piketë. Ngulitja e këtij çasti në mëndje do të më japë forca për më vonë, kur të ngurroj, dyshoj, ligështohem. Duhet të flisnin edhe pas, që ky çast të mbushej, të bëhej real dhe të shënonte një kthesë në jetën e saj. Një piketë në udhën e saj. Falë këtij çasti do të jem më e fortë dhe do të mund të vazhdoj të bëj përpara, duke e ditur që ka një kuptim, që çdo dhembje e grumbulluar pas largimit të tij është kthyer në një hap para, në një përparim të padukshëm. S’jam më e njëjta, kam ndryshuar, jam rritur, kam vuajtur, por kjo s’më ka shkuar kot”.
Ky është një episod patetik, por në brendësi, duhet të na besoni se ka shumë e shumë episode, ku ajo e shpalos veten si mendimtare e vërtetë. PEGI duhet vlerësuar për zgjidhjen e saj, në këtë kohë, kurse për përkthyesen Lorena Dedja, meriton një vlerësim për masën e punës, si edhe njësinë e duhur që ka zgjedhur në regjistrin e përkthimit.
Titulli: Sytë e verdhë të krokodilëve
Autor: Katherine Pancol
Gjinia: Roman
Botimet: PEGI
Faqe: 537
Çmimi: 1.200Lek