Shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini dhe ministrat e Punëve të Jashtme të BE-së paralajmëruan sot Turqinë kundër përpjekjes së ndëshkimeve kolektive, tre ditë pas grushtit të dështuar të shtetit.
“Sot ne themi se shteti i së drejtës duhet të mbrohet në favor të Turqisë”, pohoi Mogherini për median.
“Nuk ka asnjë justifikim që Turqia të marrë masa për t’iu larguar shtetit të së drejtës”, theksoi ajo. Ne do t’i dërgojmë një mesazh të fortë Turqisë në këtë drejtim”, paralajmëroi ajo.
Ministri francez i Punëve të Jashtme, Jean-Marc Ayrault paralajmëroi gjithashtu: “Duhet të jemi vigjilent në mënyrë që autoritetet turke të vendosin një sistem politik që nuk i shmanget demokracisë”.
“Turqia ka bërë shumë hapa përpara, duke shënuar shumë progrese, shumë reforma në vitet e fundit, por ekziston rreziku i kthimit mbrapa kundrejt parimeve të demokracisë”, shtoi ai.
Në total, rreth 6.000 ushtarakë janë arrestuar dhe rreth 3.000 mandat-arreste janë lëshuar kundër gjykatësve dhe prokurorëve, pas tentativës për grusht shteti të regjistruar tre ditë më parë me një bilanc tragjik të paktën 290 të vdekur, duke përfshirë më shumë se 100 puçistë.
Komisioneri Evropian për Zgjerimin, Johannes Hahn, i ngarkuar me çështjen e kandidaturës turke në BE u shpreh se qeveria turke kishte përgatitur përpara përpjekjes së grushtit të shtetit, një listë me persona për të ekzekutuar arrestimin e tyre.
Ministri belg i Punëve të Jashtme, Didier Reynders u kërkoi autoriteteve turke për të vepruar në mënyrë të balancuar.
Ai u shpreh mjaft i shqetësuar rreth mundësisë së vendosjes së dënimit kapital në Turqi, një fakt i përmendur një ditë më parë nga Erdogan. Dënimi me vdekje u shfuqizua zyrtarisht në vitin 2004 në kuadër të kandidaturës së Ankarasë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
“Dënimi me vdekje është një çështje që duhet të shqyrtohet nga ana jonë”, theksoi Reynders.
BW/d.i.