Hetimi paraprak i Prokurorisë së Përgjithshme në lidhje me një aferë korruptive në Gjykatën e Lartë, ku dyshohet të jetë përfshirë gjyqtarja Majlinda Andrea, ka zgjatur gati një muaj.
Gjyqtarja dyshohet se ka përfituar një shumë prej 50 mijë eurosh, në këmbim të dhënies së një vendimi të favorshëm për një prej palëve në një proces gjyqësor për pronësinë e një sipërfaqeje prej 40 hektarësh në zonën e Butrintit, Sarandë.
Pas krijimit të dyshimeve të arsyeshme për konsumimin e një vepre penale, me kërkesë të Prokurorisë së Përgjithshme, Gjykata e Lartë vendosi pasditen e së shtunës të pezullojë nga detyra gjyqtaren Andrea, si dhe caktoi një masë “arrest në burg”, ende e paekzekutuar për bashkëshortin e saj, Odhise Andrea.
Masa “arrest në burg” u caktua edhe për dy përfituesit e pronës, Ilia Çabiri dhe Eleni Lino, si edhe për personin që dyshohet se kontaktoi dhe ndërmjetësoi te bashkëshorti i gjyqtares, Petraq Dashi. Tre të fundit u arrestuan mbrëmjen e së shtunës. Burime pranë organit qendror të hetimit pohuan se emri i gjyqtares Andrea ka dalë gjatë një hetimi për një rast tjetër korrupsioni.
Gjatë përgjimeve telefonike është përmendur gjyqtarja Andrea. “Hetimi ka nxjerrë në mënyrë indirekte gjyqtaren e Gjykatës së Lartë, Majlinda Andrea, përmes survejimit të veprimeve të bashkëshortit të saj”, thanë burimet.
Kaq ka mjaftuar që hetimi t’u kalonte prokurorëve të Prokurorisë së Përgjithshme, si organ kompetent për hetimin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë.
PËRGJIMET
Mësohet se gjatë hetimit të aferës 50 mijë euro janë përdorur teknikat speciale të përgjimeve telefonike e ambientale, si edhe vëzhgimet e personave të dyshuar si të përfshirë në aktin korruptiv. Sipas burimeve, i dyshuari i arrestuar, Petraq Dashi, ka ndërmjetësuar me bashkëshortin e gjyqtares, Odhise Andrea.
Nga hetimi ka rezultuar se diskutimet e para kanë qenë për dhënien e një shumë prej 60 mijë eurosh për gjyqtaren Andrea, për t’u dhënë kërkuesve pronën 40 hektarë në Butrint. Sipas burimeve, në vijim është negociuar për një shumë prej 50 mijë eurosh. Sipas Prokurorisë, në vazhdim të kontakteve ndërmjet personave të përfshirë në këtë çështje, i dyshuari Petraq Dashi ka marrë shumën e 50 mijë eurove.
Më herët ai ka nënshkruar një kontratë fiktive me të dyshuarit Ilia Çabiri dhe Eleni Lino, në bazë të së cilës deklaron se ua ka huazuar atyre këtë shumë. Sipas Prokurorisë, këto veprime janë kryer nën syrin e agjentëve të fshehur të Forcës Operacionale. Mësohet se kjo shumë është tërhequr nga ana e Çabirit në sportelin e një pike këmbimi valutor në qytetin e Fierit.
Në të njëjtën ditë ai është nisur drejt kryeqytetit ku ka takuar edhe bashkëshortin e gjyqtares. Sipas hetimit, në momentin që ka dalë nga pika “Exchange”-it, paratë kanë qenë të ambalazhuara me një qese plastike. Bëhet e ditur se paratë kanë qenë me të njëjtin ambalazh kur, sipas Prokurorisë, ato i janë dorëzuar bashkëshortit të gjyqtares Andrea, Odhise Andrea, nga ana e të dyshuarit Çabiri. Takimi mes të dyve është realizuar në një lokal pranë qendrës së Tiranës.
RYSHFETI
Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, “strumbullari” i aferës korruptive të zbuluar në Gjykatën e Lartë është procesi gjyqësor i njohjes së pronësisë së një sipërfaqeje prej 40 hektarësh në zonën e Butrintit. I dyshuari Ilia Çabiri, në cilësinë e përfaqësuesit të një familjeje ish-pronare, ka zhvilluar një sërë procesesh gjyqësore për njohjen e kësaj sipërfaqeje.
Deri në fillim të korrikut 2016, kjo çështje ishte në “fazën e studimit” në Gjykatën e Lartë. Sipas Prokurorisë, një ditë pas dhënies së shumës prej 50 mijë eurosh te bashkëshorti i gjyqtares Andrea, konkretisht në datë 12.07.2016, trupa e Gjykatës së Lartë, ku ajo bënte pjesë, u shpreh me vendim në favor të shtetasve Ilia Çabiri dhe Eleni Lino.
Panorama/d.i.