Mediat shtetërore turke thonë se presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, do të takohet me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në muajin gusht, që do të jetë takimi i tyre i parë direkt, prej nëntorit të vitit 2015, kur është rrëzuar një aeroplan luftarak rus nga Turqia.
Agjencia Anadolu, duke i cituar burimet presidenciale, ka raportuar se takimi do të mbahet në javën e parë të gushtit, transmeton rel.
Sot Ankaraja dhe Moska kanë njoftuar se Putin i ka telefonuar Erdoganit për të shprehur mbështetje pas përpjekjes vdekjeprurëse për puç në Turqi. Në deklaratën e Zyrës së zotit Erdogan thuhet se Putin dhe Rusia qëndrojnë së bashku me “qeverinë e zgjedhur të Turqisë”.
Putin, po ashtu, ka diskutuar për sigurinë e turistëve rusë “nën kushtet aktuale të komplikuara” në Turqi, ka njoftuar Kremlini. (b.an)