E frikësuar, e mbyllur në shtëpi dhe me mendjen për tu rikthyer në Shqipëri. Kjo është Elona Radani, 31 vjeçarja, e cila prej vitesh jeton në Turqi me familjen e saj, por pas trazirave të së premtes e ka menduar seriozisht kthimin në vendlindje.
Është informuar përmes mediave për situatën dhe përmes kësaj lidhje me redaksinë e lajmeve të Top Channel rrëfen orët e panikut dhe frikën për një luftë civile atje.
“Në minutat e para të gjithë njerëzit ishin të habitur dhe kishin dalë nëpër ballkone me celularë në dorë për të marrë në telefon të afërmit e tyre për të pyetur se si është gjendja. Mendimi i parë ishte të kthehem në Shqipëri, por më pas kuptuan se aeroporti ishte mbyllur”, shprehet Elona Radani.
Autoritetet vendase i bënë thirrje banorëve që të furnizoheshin edhe me ushqime.
“Menjëherë qytetarët filluan duke bërë furnizime nëpër supermarkete dhe furra buke sepse nuk e dinin se sa do të zgjaste kjo situatë”, thotë Elona.
E shtuna është gdhirë e qetë, rrugët e Stambollit janë të boshatisura ndërsa media mbetet e vetmja mundësi informimi pasi interneti ende është i bllokuar.