Për Milva Ekonomin, kompanitë e përfshira në projektin e portit gjigant të Kavajës kanë garancitë e nevojshme financiare për të investuar 5 miliardë dollarë.
“Janë parë disa dokumente që janë sjellë ose propozime që janë bërë më shumë seriozitet. E dyta që është shumë e rëndësishme, është që duke parë eksperiencën e këtyre kompanive nga vendet ku ato vijnë besojmë që kanë qenë histori suksesi”, shprehet Milva Ekonomi.
Pikëpyetjet mbi projektin u ngritën veçanërisht nga pozicioni financiar i kompanisë “Star Bridge”, e cila figuron me një kapital prej vetëm 100 paund. Por, Ekonomi thotë kjo kompani ka vetëm rol ndërmjetës
“’Star Bridge’ është kompania që bën bashkë këto kompanitë e tjera. Duke luajtur rolin e një investitori që grumbullon kompani të mëdha”, shprehet Ekonomi.
Sipas saj, në konsorcium bëjnë pjesë kompani gjigante, të cilat kanë realizuar projekte të mëdha në shumë vende.
“Kompania “Aecom”, e cila ka realizuar portin e Nju Jorkut, atë në Sidnej, “London gateway port”. Eksperienca është e madhe dhe për këtë arsye besojmë shumë që të kemi një histori suksesi”, shprehet Ekonomi.
Ekonomi thotë se brenda 6 muajsh kompania do të ketë gati planin e shpronësimeve, ndërkohë që pas kësaj pritet të nisin punimet për ndërtimin e portit.
“Brenda vitit 2018 te jene realizuar punimet e para”.
Sipas qeverisë, porti i Kavajës do të kushtojë 5 miliardë dollarë dhe pritet të hapë 70 mijë vende pune./tch/a.k