Nga Skënder Minxhozi
Arbitri foli sërish. Ambasadoi Lu tha se krerët e PS e PD duhet të mbyllen brenda një dhome dhe të mos dalin prej andej pa rënë dakord për reformën në drejtësi. U duk në fakt si një lëvizje e dëshpëruar diplomatike e dikujt që i ka mbaruar fishekët që kishte për të harxhuar. Dhe ja pse:
Së pari, të vendosësh që ta depozitosh fatin e reformës sërish në duart e partive, në momentin kur duket qartë se njëra prej tyre nuk dëshiron të merret vesh me tjetrën, kjo do të thotë thjesht të humbasësh kohë në funksion të votës së 21 korrikut. Procesi i reformës ka pasur deri më sot një arbitër, një garant, që i detyroi edhe takimin Rama-Basha dhe gjithë lëvizjet e tjera të partive në lidhje me draftet e diskutuara. Të presësh që Rama dhe Basha të arrijnë akordin, pas një takim të dytë, kur i kanë thënë ato që kishin për të thënë, kjo do të thotë ta vendosësh procesin në duart atyre që e mbajnë peng (kupto PD). Rama ka thënë gjithçka, kur ka deklaruar se pranon çdo draft që ka bekimin e SHBA-BE. Ai është sot përfaqësuesi politik që nuk ka asnjë problem me procesin dhe me propozimin euro-amerikan. Çfarë duhet të negociojë Rama me Bashën? Mos ndoshta duhet të ribëjë draftin për të cilin Nuland mori rugën drejt Tiranës në mes të vapës së korrikut?
Së dyti, Donald Lu e di fort mirë se çdo negociatë ndër shqiptare, e pa-asistuar dhe e lënë jashtë trysnisë së fortë perëndimore, në çdo moment ka shanset të dështojë e jo të ketë sukses. Veç në qoftë se ftesa e tij për një takim të fundit Rama-Basha është karta e fundit që amerikanët i ofrojnë kreut të opozitës për të dhënë konsensusin. Çka duket e vështirë, të paktën në pozitën e dobët ku e kanë futur sot Lulzim Bashën Sali Berisha dhe Ilir Meta. Insistimi i këtyre dy figurave politike, është problemi i vërtetë i ngërçit të reformës. Dhe asnjëri prej tyre nuk do të jetë në tryezën e propozuar nga Donald Lu. Do të jetë pra, një tryezë personash, që për arsye të ndryshme, nuk kanë asnjë problem me krizën e këtyre orëve.
Kësisoj, përtej efektit figurativ (mbylluni në dhomë e mos dilni pa kompromis), ftesa e Lu nuk ka ndonjë peshë në kushtet e bllokimit që po kalon reforma në drejtësi. Ambasadori ka bërë dhe një herë një shfaqje jo të keqe në sytë e shqiptarëve, me termat e fortë që zgjedh, por çështja është se cili është impakti i vërtetë i lëvizjes së fundit të tij?!
Skender me keto artikujt e fundit,e sigurove vizen amerikane,apo kerkon grin karten amerikane.Do na besh nder edhe neve,qe nuk do te kemi per te te lexuar.Nuk ke faj,me Vasjarin dhe me Stefanin,nuk mund te mesosh jo gazetarine,por as te lidhesh ushkuret.