Kryeministri Edi Rama do të dalë sërish përpara medias sot në mesditë për të shpjeguar një tjetër propozim drejtuar opozitës për reformën në drejtësi. “Në 12.30 do të shpjegoj propozimin e ri për Partinë Demokratike mbi Reformën në Drejtësi’, bëri të ditur Rama në rrjetet sociale.
Shefi i qeverisë i bëri mbrëmë një propozim të ri Partisë Demokratike për reformën në drejtësi, një tjetër lëshim ky që mund t’i hapë rrugë votimit të saj në Kuvend më 21 korrik. Me anë të një mesazhi në faqen e tij në “Facebook”, Rama iu drejtua opozitës që ta shkruajë reformën si të dojë, ndërsa i premton votimin e saj pa i ndryshuar asnjë presje. “Një propozim i ri për PD: Shkruajeni vetë si të doni reformën, merrni miratimin e SHBA/BE-së dhe ne do ta miratojmë pa lëvizur asnjë presje!”, shkruan kryeministri.
I ftuar në një takim me ambasadorët e Shqipërisë nëpër botë, dje pasdite, kreu i Partisë Socialiste tha se kjo reformë nuk është strategjike vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin.
ma.me