Zhvillimet e fundit në Kuvend, por sidomos qëndrimi i LSI-së në këto orët e fundit, i cili është tashmë shumë pranë atij të PD-së në lidhje me Reformën në Drejtësi, ka bërë të qartë një koalicion anti- Reformë mes Ilir Metës dhe Sali Berishës. Një koalicion ky që detyrimisht do të duhet të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme. Është pak e habitshme sesi Meta tashmë i është bashkangjitur qëndrimit të PD-së kundër reformës, kundër Uashingtonit dhe Brukselit zyrtarë, të cilët kanë vënë në shënjestër lidershipin e PD-së, duke e akuzuar deri dhe publikisht se nuk do që të miratohet Reforma në Drejtësi. Lëvizjet e Metës në këto orët e fundit mund të vlerësohen pa dorashka anti SHBA. Dhe kjo duket se krijon jo pak habi po të kihet parasysh se kreu i Kuvendit, në një hark shumë të shkurtër kohorë, ka kryer dhe tre vizita zyrtare në SHBA. Ravijëzimi i koalicionit Meta- Berisha kundër Reformës, sa më shumë që ofron data 21 korrik për votimin e saj në Kuvend, lë qartësisht të kuptohet se kjo Reformë nuk do të kalojë.
Me qëndrimet më të fundit Meta ka lëshuar mesazhe të qartë edhe në adresë të grupit të PD-së, ku mjaft deputetë të cilët po merrnin në konsideratë të votonin pro reformës, tashmë duket se janë në pozitë shumë të vështirë, pasi e kuptojnë se vota e tyre nuk do të mund të kalojë draftin e Reformës. Tashmë kemi më shumë një shumicë anti reformë sesa një shumicë pro reformë. Në këto kushte vijueshmëria e mëtejshme e koalicionit Rama- Meta, humbet çdo sens logjik dhe politik. Në këto kushte ky koalicion e ka përfunduar misionin e tij, ndaj nuk ka përse të mbesë në këmbë për të shtyrë ditë pas dite e muaj pas muaji deri në zgjedhjet e 2017 paktin e 1 prillit 2013.
90% e shqiptarëve duan Reformën në Drejtësi. Meta dhe Berisha gjithnjë e më shumë po ua mohojnë këtë. Ndaj Rama duhet të marrë një vendim, nëse me 21 korrik nuk e kalon dot Reformën në Drejtësi në Kuvend. Dhe i vetmi vendim që ai ka në dorë është që të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme. Ai duhet tu japë mundësi shqiptarëve të zgjedhin një forcë politike që dëshëron që kjo Reformë të miratohet në emër të gjeneratës që vjen. Meta dhe Berisha duket se e kanë të lidhur fatin e tyre politik.
Por nëse për Berishën, i cili tashmë ka perënduar politikisht pasi jo vetëm nuk mund të ringjallë “lavdinë e dikurshme” dhe është tashmë në vijën e parë të luftës kundër SHBA-së dhe BE-së, është e pakuptueshme për Metën sesi ka vendosur dhe ai të lidhë fatin e tij politik me Berishën duke u rreshtuar edhe ai në frontin antiperëndim. Natyrisht që edhe kjo ka shpjegimin e vet. Si Meta ashtu dhe Berisha duan ta mbajnë drejtësinë në “nyjen e tyre gordiane”, ta kenë nën frenat e tyre për të mbuluar zullumet e së shkuarës dhe të sotmes. Por natyrisht që edhe kjo “nyje gordiane” është lehtësisht e zgjidhshme. Zgjidhja janë zgjedhjet e parakohshme.
Me. Ar