Mandanda në portë, Ogbona, Alaba, Ruediger dhe Evra në mbrojtje. Pogba, Khedira dhe Felaini në mesfushë, ndërsa në sulm Lukaku, El Sharawi dhe Ibrahimoviç.
Kjo është një super-Kombëtare multietnike e Euro 2016, e përbërë nga futbollistë emigrantë, ose bij emigrantësh, e përzgjedhur nga “Save the Children”.
Duket qartë që flitet për një skuadër shumë të fortë, e cila nëse do të ekzistonte vërtetë kishte shanse reale për ta fituar titullin e madh.
Gjithçka bëhet në kuadrin e një fushate sensibilizuese, drejtuar të gjithë tifozëve dhe qytetarëve në përgjithësi, pikërisht atyre që i mbështesin me aq pasion skuadrat e tyre, të cilët mund të bëhen kampionë edhe të solidaritetit në mbrojtje të fëmijëve të larguar nga vendet e tyre, për shkak të luftrave, dhunës, apo varfërisë.
Vetëm në vitin 2015 janë larguar nëpërmjet detit 1.2 milionë persona, 427 mijë prej të cilëve janë fëmijë. Në Itali, gjatë pesë muajve të parë të këtij viti kanë mbërritur 7000 minorenë të pashoqëruar.
Në Greqi më shumë se 8400 persona, fëmijë dhe gra, nëna që kanë udhëtuar vetëm me fëmijët e tyre për t’i shpëtuar, por tashmë jetojnë me terrorin e kthimit të mundshëm në Turqi, si pasojë e një marrëveshje me Bashkimin Europian.
Ndërkaq, në kombëtaren e emigrantëve mungojnë shqiptarët, të cilët përfaqësojnë vendin e tyre por edhe kombëtare të tjera. Nuk kanë nevojë për prezantim shqiptarët e Zvicrës apo Mustafi i Gjermanisë, por në evropian shkëlqyen edhe lojtarë kuqezi, ndonëse në një skuadër që nuk tërheq shpesh projektorët. Elseid Hysaj mbi të gjithë apo Ledian Memushaj e Arlind Ajeti, ishin protagonistë të mëdhenj, duke rënë në sy me paraqitjen fantastike. Të gjithë lojtarë të rritur dhe përgatitur larg Atdheut të tyre.
d.i.