Numri i apelimeve tatimore pësoi një rritje të ndjeshme vitin e kaluar me rreth 200%, në krahasim me vitin 2014.
Rritja e apelimeve shihet të jetë nxitur nga një aksion antinformalitet, i cili ka gjeneruar gjoba dhe penalitete të mëdha ndaj biznesit, të cilat janë apeluar më pas tek Drejtoria e Apelimit në Tatime.
Avokati i tatimpaguesit arsyeton se në 3-mujorin e katërt të 2015, u intensifikua kontrolli kundër informalitetit. Shtimi i punonjësve në terren dhe rritja e kërkesës së llogarisë ndaj tyre, do të sillte dhe rritjen e konsiderueshme të gjobave e për pasojë edhe rritjen e numrit të ankimeve.
Më 2015 kanë apeluar 7450 biznese nga 2550 që ishin evidentuar periudhën paraardhëse. Mirëpo rreth 2,576 e këtyre vendimeve janë refuzuar, pasi nuk kanë plotësuar kriteret për shqyrtim të mëtejshëm.
Vlera e apeluar ka qenë rreth 16 miliardë lekë nga 14.4 miliardë lekë që ishte në vitin 2014, por siç ka shpjeguar në një raport të posaçëm Drejtoria e Apelimit Tatimore vetëm 3.3 për qind e gjobave të apeluara janë shfuqizuar, ndërsa 10 miliardë gjoba dhe penalitete janë refuzuar të ankimohen. Në pjesën dërmuese drejtoria e Apelimit Tatimor i ka dhënë të drejtë administratës tatimore.
Volumi i ankimimeve ka trefishuar punën e avokatit të tatimpaguesit. Gjatë vitit 2014 janë nxjerrë 2.550 vendime.
Në tetor 2015 është mundësuar vënia në funksionim edhe e sistemit të ri informatik edhe për pjesën e apelimit tatimor.
Duke filluar me apelimet e ardhura që nga data 1 tetor 2015, Drejtoria e Apelimit Tatimor ka bërë regjistrimet edhe në sistem, gjë që ka rritur akoma më shumë ngarkesën e kësaj drejtorie, thuhet në materialin zyrtar të drejtorisë.
Tabelat e mëposhtme japin një përmbledhëse për punën e kryer nga kjo drejtori gjatë 3-mujorit të katërt 2015./Monitor/a.m.