Pas akuzës së prokurorisë për pastrim parash nga Francesco Becchetti dhe urdhërarrestit për biznesmenin italian, Agon Channel ka vendosur të ndryshojë emër dhe logo në Agon Channel Free (Agon Channel i Lire).
Lajmin e njoftoi në edicionin qendror spikeri Artion Vreto.
Biznesmeni është shpallur kërkim ndërkombëtar nga Policia Shqiptare. Urdhër-arresti i është dërguar të gjitha vendeve anëtare të Interpol. Dyshohet se Becchetti ndodhet në Angli, aty ku zotëron dhe një skuadër futbolli.
Përveç pastrimit të parave, Becchetti akuzohet për mospagim taksash, në vlerën e 770 milionë lekëve të reja në hidrocentralin e Kalivaçit. Ndërkaq, prokurorët kanë arritur të faktojnë dhe mashtrimin që ai ka kryer me rimbursimin e TVSH-së.
Dyshohet se ai ka raportuar fatura fiktive në punët e kryera në Kalivaç. Në këtë formë, ai ka aritur t’i marrë buxhetit të shtetit shqiptarë, shuma të konsiderueshme parash.
Prokurorira e Tiranës dhe Agjencia e Administrimit të Aseteve të Sekuestruara i kanë dërguar shkresa Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, për sekuestrimin e kompanive të Becchetti-t, ndër to edhe Agon Channel.
Në masën e sigurisë, zhvilluar në Gjykatën e Tiranës për aksionerin e Agon Channel, Erjola Troplini ka thënë se çdo lëvizje e parave bëhej me urdhër dhe firmë të Becchetti-t.