Historia midis gjyqtarit Shyqyri Çobo dhe gruas që ai i ka kërkuar favore ka nisur në momentin kur ai i rekomandoi një avokat mbrojtës. Çobo ishte gjyqtari i procesit të divorcit të gruas me bashkëshortin dhe pas dy seancave u interesua se pse ajo nuk kishte marrë një avokat që ta përfaqësonte. Pasi gruaja u përgjigj se nuk kishte pará ta paguante, Çobo i rekomandoi një avokat që nuk do t’i kushtonte shumë. Për këtë arsye i kërkoi edhe numrin e celularit, për të qëndruar në kontakt për këtë çështje, shkruan Shqiptarja.com.
Kallëzuesja pranoi t’ia jepte dhe po atë ditë, rreth orës 17:00, gjyqtari i dërgoi SMS: “Përshëndetje, gëzon të gjithë kredin mirënjohëse nga ana ime. Performanca juaj më imponon respekt, pse jo dhe ndjesi. A u sqarove me avokatin rekomandues. Problemi yt sinqerisht me diktoi keqardhje, mos hezito me SMS apo tel. Do të mirëpres, respekte. Ok?”.
Ajo ka mbetur e habitur nga ky mesazh, megjithatë i ktheu përgjigje: “Shumë faleminderit për gjithçka. Jam shumë mirënjohëse për bujarinë dhe mirëkuptimin tuaj. Me avokatin u mora vesh, keni urimet më të mira nga ana ime dhe Zoti ju bekoftë ju dhe familjen tuaj”.
32-vjeçarja pyeti babanë e saj nëse e njihte këtë gjyqtar dhe ai i tha që po. Kjo bëri që kallëzuesja të mendonte se ndoshta ky ka qenë shkaku pse gjyqtari Çobo fliste aq përzemërsisht me të.
Nëpërmjet bisedave dhe SMS-ve telefonike, ata u takuan në një lokal pranë Gjykatës me kërkesë të Shyqyri Çobos. Supozohej se do të bisedonin rreth çështjes gjyqësore të 32-vjeçares, gjë që nuk ndodhi.
Madje gjyqtari i Beratit Shqyri Çobo në një sms dërguar 32-vjeçares premtonte se gjatë aktit seksual do të zbatonte të gjitha vendimet unifikuese të OKB që kanë lidhje me familjen, duke shmangur transmetimet e patologjive të ndryshme.
Në këto rrethana, kallëzuesja regjistroi fshehurazi me celular tre biseda me gjyqtarin Shyqyri Çobo, në të cilat pretendon se i kërkonte të bëhej dashnorja e tij duke i dhënë në këmbim një vendim gjyqësor në favor të saj.
d.i.