Nga Spartak Ngjela
Reforma në Drejtësi, e cila do të miratohet në 21 korrik, pritet që realisht të shkatërrojë gjendjen e rëndë që sundon sot Shqipërinë. Ja cila është kjo gjendje:
Midis vjedhësve që administrojnë shtetin, atyre qe kanë vjedhur dhe atyre që vidhen përdita, qëndron një gardh mbrojtës që garanton vjedhësit – gjyqtarët e korruptuar.
Midis përbuzjes që kanë pushtetarët grabitës për popullin, dhe vetë popullit, qëndrojnë dy gardhe mbrojtës që populli të mos “shqyejë” përbuzësit e tij të fuqishëm – partitë.
Midis fyerjes së përditshme që i bëhet të ndershmit dhe të diturit, dhe fyesëve të pushtetshëm të tyre, qëndron – nënshtrimi për bukën e gojës.
Midis padrejtësisë dhe drejtësisë qëndron – koburja.
Midis dijes që përbuzet dhe injorancës që sundon, qëndron – shitja e diplomave të paditurve që do sundojnë.
Midis atyre që e duan Shqipërinë dhe atyre që e shesin çdo ditë në treg, qëndrojnë – bandat e vrasësve.
Midis urrejtjes dhe dashurisë, qëndron – blerja e nderit me paratë e vjedhura.
Midis hiçit dhe gjithçkasë, qëndron – Asgjëja që ka Çdogjë.
Midis Lindjes dhe Perëndimit, qëndrojnë – otomanët.
Prandaj, Reforma në Drejtësi duhet të shkatërrojë: gjyqtarët e korruptuar, partitë, nënshtrimin për bukën e gojës, koburen, shitjen e diplomave, bandat e vrasësve, blerjen e nderit me paratë e vjedhura, Asgjënë që ka Çdogjë, frikën, dhe otomanët.
*Titulli JavaNews