Qytetarët që kanë ndërtuar pa leje dhe ende nuk e kanë bërë marrëveshjen për marrjen në pronësi të truallit, nuk do ta paguajnë më tarifën e vendosur për këtë shërbim që varionte nga 8 deri në 30 mijë lekë.
Drejtori i Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale, (ALUIZNI) Artan Lame, bëri të ditur se kjo pagesë është hequr përmes një vendimi të miratuar në mbledhjen e fundit të qeverisë që standardizon procedurat për kalimin e pronësisë në këtë kategori.
Lame sqaroi gjithashtu se tashmë këto veprime nuk do të bëhen më në zyrat noteriale, por në Agjencinë e Legalizimeve. Sipas tij, duke qenë se ALUIZNI, tashmë do të jetë ndërmjetës do të garantohet edhe kompensimi i ish pronarëve.
Kreu i ALUIZNI-t tha se reforma e legalizimeve po ecën me sukses, por ka nevojë për burime njerëzore, kryesisht në Korçë, Shkodër, Kukës, Paskuqan, etj. Lame u bëri apel të rinjve me profesione si inxhinierë, urbanistë, gjeodet që të aplikojnë.
atsh/d.i.