Kryeministri Edi Rama e cilësoi kandidaten e ASHE-së për bashkinë e Patosit, Rajmonda Balilajn, një grua të fortë dhe administratore të spikatur, ndërsa premtoi mbështetje dhe investime për t’i dhënë një perspektivë të qartë të rinjve të kësaj bashkie.
Gjatë një takimi sot me qytetarë të Patosit, Kryeministri u angazhua për mbështetjen e të gjitha projekteve të kandidates Balilaj, për t’u dhënë, siç tha ai, perspektivën e munguar të rejave dhe të rinjve të Patosit.
“Sot, në praninë dhe entuziazmin e madh të qytetarëve dhe qytetareve të Patosit, për mbështetjen plotësisht të merituar të Rajmonda Balilajt, kandidates së përbashkët të koalicionit tonë, njeriu dhe administratorja që në katër vite në krye të bashkisë ka treguar se ka mbetur pjesë e komunitetit dhe në shërbim të komunitetit”, tha Rama.
Vota për Rajmondën dhe Partinë Socialiste në Nr. 23, sipas tij “është votë e cila siguron vazhdimin e rrugës në drejtimin e duhur për Patosin”.
“Ne jemi shumë të vendosur që ta mbështesim programin e Rajmondës për Patosin dhe të investojmë për realizimin e programit të saj, duke i dhënë një perspektivë të qartë të gjithë të rejave dhe të rinjve që jetojnë këtu, në Bashkinë e re të Patosit”, tha Rama. /ATSH/