Francesco Beccheti dhe administratori i kompanive të tij Mauro De Renzis jane shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol-Tirana.
Lajmi konfirmohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, sipas së cilës, urdhër arresti i lëshuar me vendim të Gjykatës së Tiranës i ka kaluar të gjithë zyrave të INTERPOL-it.
Pritet që ky urdhër të vlerësohet edhe nga policia italiane, e cila bazuar në kërkesën e drejtësisë shqiptare, ka detyre te arrestoje Francesco Becchetin, pronarin e televizionit Agon Channel dhe aksionerin e saj Mauro De Renzi.
Ndaj dy të shpallurve në kërkim, gjyqtarja Manjola Bejleri me kërkesë të prokurores Antoneta Sevdari ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”, masë kjo tashmë e apeluar nga avokati mbrojtës.
Grupi hetimor i prokurorisë, vazhdon të administroje në dosjen hetimore prova që implikojnë kompanite e drejtuara nga Bechheti ndër vite në Shqipëri.
Burimet thonë se janë sekuestruar me cilësinë e proves, të gjitha faturat e dorëzuara nga kompanite e Becchetit në drejtorine e tatimeve, ku edhe janë rimbursuar nga TVSH-ja disa prej tyre.
Prokurorët thonë se mes faturave të sekuestruara janë edhe ato të dorëzuara për punimet e kryera në hidrocentralin e Kalivaçit, raporton ABC News.
Referuar këtyre faturave dhe të tjerave të sekuestruara në Gjykatën e Arbitrazhit në Tiranë, që dyshohet se janë fiktive dhe të falsifikuara, është deklaruar se kompanite e Becchetit në kantierin e Kalivaçit kanë kryer punime në vlerën rreth 24 milion euro.
Këto punime, sipas faturave, rezultojnë se janë kryer brenda periudhës 2007-2013.
Ndërkohë, nënkontraktorët shqiptare që kanë kryer punime për llogari të kompanive të Becchetit, kanë dorëzuar fatura me vlerë rreth 9 mln euro për punë të ndryshme të kryera në hidrocentral.
Sipas këtyre statistikave dhe llogaritjeve të kryer nga ekspertët kontabël të caktuar nga prokuroria, rezulton se kompanite e Becchetit kanë rritur çmimet e punimeve shumë here ne krahasim me cmimet e deklaruara nga nënkontraktuesit, të cilët kanë kryer punimet.
Gjithashtu, janë konstatuar edhe fatura të lëshuara për punë të pakryera ndonjëherë në hidrocentralin e Kalivaçit.
Ekspertët kanë konstatuar se diferenca mes shumës së deklaruar nga nënkontraktuesit me ato të kompanisë Beccheti, që dyshohet se janë fiktive, kapin shifrën rreth 15 mln euro.