Ec e gjeje se ku fillon dhe ku mbaron. Çfarë lidhje ka Fatmir Mediu me Miellin? Me atë të bardhin. Me atë të shëndetshmin. Që për më shumë ka të bëjë sërish me Italinë, por në mënyrë të tërthortë dhe jo të drejtpërdrejtë si dikur, për shembull.
Sot në parlament Fatmir Mediu, ish-ministri i mbrojtjes që dha lejen e ndëtimit të fabrikës së vdekjes në Gërdec (fshati ndodhet në bashkinë e Vorës), shpërtheu menjëherë sapo Luan Rama, denoncoi që rreth 600 vetë janë shtuar në listat e votimit për bashkinë e Vorës. Rama tha edhe se mielli i fabrikës së kandidatit demokrat Fiqiri Ismaili, i cili është bllokuar si jashtë standarteve të ushqimit nga Ministria e Bujqësisë, po përdoret për blerje votash. Kaq mjaftoi që i prekur tek mielli, Mediu të shpërthente fort.
Ai replikoi me vetë Ramën, u tendos me Metën, akuzoi për deformim të procesit të votimit. E bëri në një mënyrë të çuditshme, e cila mund të shpjegohet vetëm me lidhjen e tij të veçantë me kandidatin e PD-së për bashkinë e Vorës dhe me miellin. Në fakt, është në të drejtën e tij të reagojë kaq fort për miellin. Eshtë një produkt që ka shënjuar shumë fate njerëzorë në Tiranë e gjetkë. Edhe të Fatmirit vetë. /LV/