Kryetari i Ohrit, Nikolla Bakraçevski nuk sheh problem në ndërtimet gjithnjë e më të shumta në bregun e liqenit. Në pyetjen e televizionit Alsat M, çfarë do bëhet me urbanizmin, Bakraçevski u përgjigj me kundër pyetje.
“Cilin urbanizim? A mund të jeni më konkret që të dimë cilin urbanizim, sepse nuk e di për se bëhet fjalë. Ku ndërtohen objekte që ta dimë? Ato tashmë janë objekte të ndërtuara. Unë disa herë kam thënë se të gjitha këto projekte dhe të gjitha planet urbanistike që miratohen në nivel të Ohrit patjetër të jenë në pajtim me nevojat, normat, standardet dhe dispozitat ligjore që kanë të bëjnë me ruajtjen e ambientit jetësor dhe ruajtjen e Liqenit të Ohrit”, tha Bakraçevski.
Vitin e kaluar në anën shqiptare, përgjatë bregut të Liqenit u rrënuan më shumë se gjashtë motele, hotele dhe restorante. Kryetari i Pogradecit paralajmëroi rrënimin e të gjitha objekteve që nuk i plotësojnë standardet. Problem kryesor i të dy palëve mbetet ndërtimi dhe rinovimi i kolektorit 30 vjet të vjetër. Porosia për ruajtjen e Liqenit, e shkruar në letër dhe e futur në shishe, u hodh në ujërat e Liqenit.
ma.me