Sir Richard Charles Nicholas Branson është një biznesmen, investues dhe filantrop anglez. Ai njihet më së shumti si themelues i Virgin Group, i cili ka më tepër se 400 kompani.
Branson është një nga zërat e fuqishëm kundër daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian dhe qëndrimin e tij e ka shprehur në një letër drejtuar lexuesve përmes Huffington Post, përkthyer edhe në edicionet në gjuhë të tjera të gazetës online.
“Edhe pse prej kohësh tashmë jetoj në Ishujt Virgin Britanikë, kurrë nuk kam pushuari së menduari plot pasion për Mbretërinë e Bashkuar dhe njerëzit e saj”, shkruan Branson. “Si sipërmarrës, kam mësuar disa gjëra për rreziqet dhe largimi nga Bashkimi Evropian është një nga rreziqet për të cilin nuk do të doja që Britania ta ndërmerrte. As si investues, as si sipërmarrës, dhe sigurisht që aq si baba e gjysh”.
Branson shpjegon se Britania dhe populli i saj kanë përfitime të mëdha nga anëtarësia në BE, të cilin e quan tregu më i madh në botë.
“EU i ka sjellë përfitime të mëdha Britanisë, ekonomisë dhe popullit të saj. Deri në tre milionë vende pune të britanikëve janë të lidhura me anëtarësinë në tregun më të madh në botë. Është një treg me mbi 500 milionë konsumatorë, i cili ofron mundësi të pakrahasueshme për investime dhe tregti, ndërsa ofron transparencë të garantuar dhe siguri. Partnerët e BE blejnë 44% të eksporteve britanike, mbi 300 mijë biznese britanike operojnë në vendet e tjera të BE. Ndërkaq, ende nuk kam dëgjuar ndonjë arsye pse Britania e Madhe duhet të heqë dorë nga këto”.
“Si anëtar i BE, Britania është më mirë ekonomikisht. Mund të bëjë tregti pa barriera e taksa. Qytetarët britanikë mund të jetojnë, mësojnë e punojnë kudo që të duan në Bashkimin Evropian. Dhe çdo kërcënim global që përballin shtetasit britanikë, pleq e të rinj, është më mirë kur përballet kolektivisht. BE e ka bërë Evropën dhe Mbretërinë e Bashkuar më të fortë. Nëse jeni në një mendje me mua, ju bëj thirrje të votoni për qëndrimin”.