Skënderbeu do ta nisë aventurën e re evropiane kundër kampiones së Hungarisë, Ferencvárosi, pas shortit të Champions League hedhur pak minuta më parë në selinë e UEFA-s.
Nuk është shorti i ëndrruar për kampionët e Shqipërisë, të cilët mund të kishin “peshkuar” edhe kundërshtarë më të lehtë.
Ferencvarosi është kampion i Hungarisë, duke e dominuar plotësisht kampionatin e fundit, me 75 pikë në 33 ndeshje, plot 19 më tepër se vendi i dytë. Titulli i sivjetëm ishte i 29-ti për skuadrën nga rajoni Ferencvaros i Budapestit, që gjithashtu ka fituar edhe 22 Kupa të Hungarisë.
Ferencvarosi ka pesë lojtarë në Euro 2016 të thirrur nga kombëtarja e Hungarisë, përfshirë edhe portierin Dénes Dibusz, ndërsa Skënderbeu ka vetëm një, portierin Orges Shehi. Ky mund të jetë një shans i mirë për kampionen e Shqipërisë, pasi mund të gjejë përballë një kundërshtar me mungesa të rëndësishme.
Skënderbeu ka një precedent jo të mirë me futbollin hungarez, teksa në vitin 2012 u eliminua nga Debreceni, pas fitores 1-0 dhe humbjes 0-3.
Ndeshja e parë do të luhet në Korçë, më 12 ose 13 korrik, kthimi në Budapest më 19 ose 20 korrik.
Por, më parë Skënderbeu duhet të fitojë përfundimisht çështjen me UEFA-n në CAS, për dënimin që mbetet pezull deri më 5 ose 6 korrik, kur merret vendimi për konfirmimin ose heqjen e tij.
D.I.