Kryeministri Edi Rama mori pjesë pasditen e sotme në Panairin e Ideve në Muzeun Historik Kombëtar, në aktivitetin me temën “Shkolla, qendër komunitare”.
Kryeministri Rama shprehu mbështetjen e qeverisë shqiptare në nxitjen e ideve të reja dhe realizmin e projekteve. Kreu i qeverisë shqiptare është shprehur se transformimi i shkollave është më rëndësi, duke i kthyer ato në qendra komunitare ku përcillen ide novatore dhe nxiten projekte të ndryshme.
“Do të krijojmë një fond të veçantë mbështetje në mënyrë që projektet mos të mbeten peng i burokracive apo vendimmarrjeve të pafavorshme për shkak të mentalitetit. Nëse do të arrijmë ta çojmë drejt e te shkollat këtë qendër komunitare, dhe të mundësojmë financimin e duhur, ky do jetë një revolucion që do sjelle produktet e duhura, dhe do t’i japë një shtysë të fortë kulturës së projektit në Shqipëri”, tha Rama.
Kreu i qeverisë tha se, synohet më shumë për nxitjen e të rinjve drejt prezantimit të ideve të tyre, të cilët më pas mund të kthehen në projekte të mëdha.
“Shqipërisë i kushton shumë po kështu dhe të ardhmes mungesa e ideve për projekte. Ndaj sjellja e ideve novatore i bën mirë zhvillimit. Jemi në kushtet ku njerëzit ndjehen të pafuqishëm shpeshherë për të përballuar sfidat e jetës. Edhe të rinjtë e shohin si mundësi vetëm punësimin në shtet, por harrojnë se puna në privat, vënia në jetë e ideve e projekteve është padyshim një mundësi e madhe. E vetmja rrugë për t’ia dalë është kapaciteti për ta zhvilluar në një projekt ëndrrën apo idenë. Ajo që po bëjmë me shkollën komunitare është një hap i parë drejt hapave të tjerë të zhvillimit”, u shpreh Rama.