Gjithnjë e më shumë agjenci po i ftojnë vartësit që të çohen nga karriget, ndërsa një pjesë e tyre ka filluar t’i sigurojë tavolinën e punës ku mund të punojnë në këmbë. Kjo është një mënyrë shumë e mirë për të rritur kreativitetin dhe për t’u kujdesur për shëndetin.
Një studim shkencor britanik ka zbuluar se qëndrimi në këmbë gjatë orëve të punës mund të bëjë mrekulli në këtë drejtim.
“Sistemi imunitar mund të përmirësohet, por ju mund të parandaloni edhe shqetësimet kardiake, diabetin, tumorin dhe sëmundje të tjera të cilat lidhen me qëndrimin ulur për një kohë të gjatë”, kanë thënë studiuesit për gazetën “British Journal of Sports Medicine”. Agjencitë duhet të inkurajojnë punonjësit që të çohen më shpesh nga vendi i tyre i punës në zyrë dhe të bëjnë pauza të herëpashershme, për të lëvizur pak këmbët.
Por çështja nuk zgjidhet vetëm me pushimet e shkurtra për ndonjë kafe apo për të ngrënë diçka: raporti këshillon një ide tjetër afatgjatë për mënyrën se si janë të strukturuara zyrat, duke zëvendësuar pozicionet tradicionale të punës me të rejat “standing desk”, tryezat për të punuar në këmbë.
Avantazhi, thonë ekspertët, nuk shkon vetëm për gjendjen fizike të punëtorëve: me këtë mënyrë, mund të fitohen jo vetëm financa private por edhe ato publike, sepse puna më pak sedentare mund të përmirësojë produktivitetin dhe të ulë mungesat e justifikuara nga ana e punëtorëve.
Problemi është relativisht i njohur: nëse do të ktheheshim në mijëra e miliona vjet më parë do të mund të kujtonim njerëzit e parë që zbritën nga pemët dhe filluan të ecnin në këmbë, ata e kalonin pjesën më të madhe të ditës në këmbë.
I njëjti fakt ishte edhe gjatë gjithë kulturës rurale – mbeti kështu, të paktën për pjesën më të madhe të njerëzimit, edhe pas revolucionit industrial, sepse fabrikat ku punëtorët mund të punonin ulur ishin shumë të pakta.