Nga Artan Fuga
Me Francën kombëtarja e gjithë shqiptarëve ve përballë simbolin e shqiponjës që fluturon e vetmuar krenare maleve, me atë të gjelit të sertë e krenar që këndon çdo mëngjes dhe thotë: “unë jam”, por edhe të çukit.
Po prisni se kam diçka për të thënë !
Mos kujtojë njeri që ato që na ndodhën me Zvicrën janë rastësira. Nuk ka rastësi në botë.
Mos kujtojë njeri se është e rastit që heroi i ndeshjes Berisha, ishte edhe fajtori kryesor i golit që na shkaktoi humbjen.
Mos kujtojë njeri se është rastësi që lideri i skuadrës, bën një gabim dhe pasi merr të verdhën e dytë, shkon në stol dhe e lë skuadrën vetëm.
Mos kujtojë njeri se është rastësi që 30 minutat e para lojtarët shqiptarë sillen si somnabulë, nuk dinë ku janë, dhe vetëm pasi mbesin me dhjetë veta, me gol të pësuar, nisin të shkëlqejnë dhe të bëhen madhështorë.
Mos kujtoj njeri që është rastësi që një vëlla shqiptar luan kundër tjetrit, dramë që s’e ka parë bota.
Ky është vetë identiteti ynë kombëtar.
Kur jemi mirë ne kërkojmë drama, dhe përkundrazi na duhet dramat dhe gjëmat për t’u ngritur lart.
Shqiponja jonë nuk është prej hekuri si ajo e habsburgëve, prej fletësh çeliku, që kontrollon si sundimtare perandorinë, dhe mban qetësi e lundron në ajër në qetësi.
Jo. identiteti ynë është formuar nën sundimin e të tjerëve, na kanë shkly, e na kanë coptu, duke na marrë nëpër këmbë. Kjo, besoj se na është bërë natyrë e dytë. Jemi mësuar me gjëmat.
Lereni shqiptarin të qetë dhe ai nis e shqyen veten, besoj se nuk ka nevojë për shembuj, çojeni atë buzë greminës, dhe ai ngrihet, ringrihet dhe nuk ka Zot që e çbën.
Këtë shfaqim edhe në futboll, këtë shfaqim gjithandej, përballojmë të keqen, por s’e kontrollojmë dot paqësisht të mirën.
Në humbje duam fitoren, kur kemi fituar e lemë të humbasë. Ndjehemi mirë kur jemi keq, ndjehemi keq kur jemi mirë.
Edhe kombëtarja e shqiptarëve këtë natyrë manifeston. Shpirti i kombit shfaqet kudo njësoj – ka shkruar një burrë me mjekër dikur.
Jo më kot besoj unë drejtuesit e ekipit prodhojnë drama dhe skenare tmerri edhe kur nuk ka vend, sikurse pushuan nga puna shefen e komunikimit të akuzuar nuk e di se përse.
A thua se duan të gjejnë kudo atë që na dëmton. Pa një armik ne as çajin me biskota të mëngjesit nuk e pimë dot. Mbesim pa motiv.
I duhet lojtarëve një motiv për të luajtur.
Poqese nuk na fyen, na rreh, na bën keq dikush, vështirë se gjejmë motiv për veprim.
Prandaj edhe sot. Vështirë se e kontrollojmë ne lojën qysh në fillim. Do ta pësojmë njëherë që të ngrihemi e ringrihemi. Në mos qoftë goditja e rëndë që të na plandosi. Por, që ne të kontrollojmë lojën që në fillim, paqësisht, si shqiponjë habsburgiane, më duket e vështirë.
Jetojmë me dramë, aty marrim motiv dhe energji, Pse të veprojnë ndryshe lojtarët sot?
Thonë se shqiponja jonë është me dy koka. Shiheni mirë njëherë. Mua gjithnjë më është dukur me një kokë e trup të çarë mes përmes. Ashtu fluturon.