Vendimi i Këshillit të Ministrave për financimi e zyrave të ish-presidentëve saktëson edhe një detaj të rëndësishëm, mënyrën e financimit. Për përballimin e efekteve financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, në buxhetin e vitin 2015 do të shtohet fondi prej 15 159 165 lekësh për DSHQ-në, përkatësisht, vlera 1 302 000 lekë në zërin “Shpenzime korrente” (pagat dhe shërbimet) dhe vlera 13 857 163 lekë në zërin “Investime”. “Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, për vitin 2015″, përcakton vendimi.
Kryeministri Edi Rama i jep zyrë në një nga vilat qeveritare ish-presidentit të republikës, Bamir Topi, tashmë kryetar i partisë FRD që është në aleancë me PS-në në zgjedhjet vendore. Gjithashtu, nga vendimi mund të përfitojnë të drejtën e zyrës pa pagesë edhe ish-presidentët Berisha, Meidani dhe Moisiu. Ish-presidenti Berisha mund të shfrytëzojë edhe të drejtën si ish-kryeministër, por aktualisht ai po përdor ambiente që ndodhen në një qendër tregtare. Asnjë nga ish-presidentët nuk është trajtuar deri më sot sipas rregullit, sepse në vendim ka pasur një klauzolë “sipas mundësive”. Nuk dihet nëse do të akomodohen ish-presidentët e tjerë, përveç Bamir Topit, edhe për faktin se nga mbarimi i mandatit të tyre kanë kaluar më tepër se katër vite dhe ky detyrim i shtetit mund të jetë parashkruar.
Vendimi “Rama”
Para pak ditëve, me firmën e Ramës janë nxjerrë nga fondi rezervë i buxhetit mbi 150 mijë dollarë që do të shkojnë për rregullimin e ambienteve për ish-presidentët, pagesën e stafit të shërbimit, aksesin në telefon dhe internet. E vetmja urgjencë e vendimit të datës 27 maj 2015 (për përdorimin e fondit rezervë) janë zgjedhjet, sepse trajtimi i ish-presidentëve është i rregulluar në vendimin e vitit 1999. Një nen i veçantë përcaktonte se “Ish-presidentit të republikës për një periudhë katërvjeçare nga mbarimi i mandatit, ish-kryeministrit dhe ish-kryetarit të Kuvendit, për një periudhë dyvjeçare nga mbarimi i mandatit, zëvendëskryeministrit dhe nënkryetarëve të Kuvendit për kohën e pushimit, u vihet në dispozicion, sipas mundësive, apartament në rezidencat dhe vilat qeveritare që administron Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, kundrejt tarifave të caktuara nga kjo drejtori”. Nëse qeveria e kishte si shqetësim trajtimin e ish-presidentëve, vendimi është i shkruar qartë dhe e rregullonte këtë pjesë. Në fakt, vendimi “Rama” i veçon ish-presidentët, duke iu dhënë falas zyra dhe shërbim rezidencial. Për këtë qëllim, vendimi i Këshillit të Ministrave ndryshon pjesën e dytë të nenit 15 të vendimit të vitit 1999, i cili shoqërohet me një shtesë në buxhetin e vitit 2015 për Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare (DSHQ). Sipas ndryshimit të bërë, “DSHQ-ja u vë në dispozicion mjedise pune ish-presidentëve, pa pagesë. Ajo mbulon shpenzimet për shërbime sekretarie, pastrimi dhe mirëmbajtjeje mjedisi, shpenzimet për energji elektrike, ujë, telefoni fikse (përfshirë dhe internet)”.
Përfitimet
Për ish-presidentët, DSHQ-ja përballon shpenzimet për mirëmbajtjen dhe pastrimin e zyrave. Gjithashtu, sipas vendimit, një pjesë e fondit shkon për mbajtjen e personelit të nevojshëm, e konkretisht sekretare (një për secilën zyrë) dhe një punonjëse pastrimi për të gjitha zyrat. Të përfshira janë edhe shpenzimet për energji elektrike në masën 20 000 lekë në muaj për zyrë. Çdo shpenzim mbi këtë kuotë, sipas vendimit, do të mbulohet nga vetë ish-personalitetet që do të përfitojnë këtë shërbim. Edhe për konsumin e ujit është vendosur një kuotë maksimale 2000 lekë në muaj për zyrë, ndërsa shpenzimi mbi këtë shumë do të mbulohet nga vetë përfituesit e këtij shërbimi. Kurse për aksesin në internet dhe shpenzimet bazë për telefoninë fikse, kuota e vendosur është jo më tepër se 3000 lekë në muaj për zyrë.
Fondi rezervë
“Fondi rezervë” është fondi që krijohet për të financuar shpenzime jo të përhershme dhe të paparashikuara, në fazën e përgatitjes së buxhetit. Në këtë rast, shpenzimi për trajtimin e ish-presidentëve duhej të vendosej në buxhet, sepse ekziston vendimi. Bazuar në ligjin “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, për të përballuar shpenzime të paparashikuara në buxhetin e njësive të qeverisjes vendore, krijohet fondi rezervë, për të përballuar efektet e mosrealizimit të të ardhurave, nevojën e kryerjes së financimeve të reja dhe shtimin e financimeve mbi fondet e miratuara, të programeve ekzistuese krijohet fondi i kontingjencës. Qeveria “Rama” është kritikuar nga opozita për mospërdorimin e fondit rezervë të buxhetit për përballimin e dëmeve të përmbytjeve në Vlorë dhe në Fier në fillim të vitit. Gjithsesi, trajtimi i ish-presidentëve me një zyrë falas, mund të ketë prioritet për momentin. /Shqip/