Në një takim me banorë dhe mbështetësit e Partisë Republikane kandidati i Korçës Gjergj Mero tha se shtresat në nevojë do të mbështeten dhe nuk do të braktisen, sikurse po vepron qeveria qendrore dhe bashkia, duke u hequr bukën e gojës, që është ndihma sociale.
Ai tha se nuk do të ketë më të varfër që të mos mund të paguajnë dritat dhe të kërcënohen për burgim nga qeveria, pasi Bashkia e re do të gjejë mundësi subevcionimi për të bërë këtë pagesë.
“Me drejtimin e bashkisë së re ne do të jemi avokatët dhe mbështetësit më të fortë të daljes së shtresave në nevojë nga kriza dhe punësimit të tyre ne shërbimet bashkiake si dhe në çeljen e bizneseve të reja private” -u shpreh kandidati Mero.
Në fjalën e tij kandidati demokrat tha se prioritet i programit është punësimi nëpërmjet çeljes së bizneseve të reja dhe rihapjes së aktiviteteve të vogla, të mbyllura nga kriza e rëndë ekonomike.
Ai tha se lehtësitë e ndjeshme fiskale dhe mbështetja për të punësuarit e rinj do të jenë objektivat kryesorë për biznesin që në fillim të drejtimit, si kryebashkiaku i Korçës.