Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në ditën kur Prishtina shënon Ditën e Çlirimit ka thënë se kryeqyteti duhet të ketë monumentin e lirisë.
Veseli me anë të një postimi në Facebook, ka propozuar edhe vendin se ku duhet të vendoset monumenti. Sipas tij, monumenti i lirisë duhet të ndërtohet në pjesën ku aktualisht është selia Agjencisë Kosovare të Privatizimit, transmeton Koha.net.
“Në përvjetorin e Ditës së çlirimit të Prishtinës, qoftë edhe për vitin tjetër, duhet ta kemi monumentin e lirisë, simbolin e sakrificës dhe përpjekjeve të pandërprera të popullit tonë për liri, paqe dhe shtet sovran.
Vendi më i mirë për këtë monument lirie do të mund të ishte selia aktuale e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, që do të shndërrohej në park. Kryeqyteti e meriton të ketë një monument të tillë”, ka shkruar Veseli. (b.an)