Fillimi i sezonit turistik ka sjellë në tregun e këmbimit valutor vendas, dobësimin e valutave kryesore euro dhe dollarë kundrejt lekut, një dukuri që ndodh çdo vit në këtë periudhë.
Sipas kursit të Bankës së Shqipërisë, dollari këmbehet të shtunën me 121.9 lekë, ose 0.59 lekë më lirë se një ditë më parë, ndërsa monedha europiane kembehet 138.5 lekë, ose 0.11 lekë më pak .
Rënia e euros kundrejt lekut është pasojë e rritjes së ofertës nga turistët, ndërkohë që transaksionet nga tregtarët dhe bankat mësohet se kanë qenë në nivele normale. Ndërsa dobësimi i dollarit reflekton ecurinë e bursave ndërkombëtare.
Një euro e dobët favorizon të gjithë ata që kanë kredi në këtë monedhë, pasi do të paguajnë më pak për këstet mujore. Gjithashtu, importuesit do i blejnë më lirë mallrat, çka paralajmëron rënie të çmimeve në treg. (java / r.a)