Ironia e nisur në panairin e Policisë së Shtetit me një kuti të zezë ku shkruhej “a është këtu pajisja e përgjimit?” është vijuar dje në Gjykatën e Tiranës nga një prej oficerëve të dyshuar për “shpërdorim të detyrës” në lidhje me këtë pajisje.
Oficeri i Forcës së Posaçme Operacionale, Entiol Xhelilaj, u paraqit dje në gjykatë për verifikimin e masës së sigurisë “arrest shtëpie” dhënë në mungesë ndaj tij me një valixhe në dorë, e ngjashme me valixhen e shfaqur në fotot ilustruese për pajisjen “IMSI Catcher”.
Në këtë valixhe ai mbante disa dokumente që do të përdorte për mbrojtjen dhe për ironi nxori prej saj edhe një trëndafil dhe e drejtoi nga gazetarët, duke nënkuptuar se nuk ka përgjuar njeri.
Ai kishte marrë me vete një valixhe ngjyrë jeshile dhe sa hyri në sallë iu drejtua gjyqtarit Arjan Aliaj.
“Ja ku e ke pajisjen përgjuese”, mësohet të ketë thënë Artion Duka me ironi dhe më pas është ulur në vend raporton Panorama.
Gjesti i tij tregoi pakënaqësi ndaj gjyqtarit Aliaj, i cili së fundmi është cilësuar si “killer” nga kryeministri dhe ministri i Brendshëm për pezullimin e Haki Çakos.
Pavarësisht këtyre, gjykata ka lënë në arrest shtëpie dy punonjësit e Policisë, ndërsa çështja Çako është dërguar në Apel dhe më datë 16 qershor do të jetë seanca ku do të merret vendimi.