Radio Televizioni Shqiptar ka sqaruar mbrëmjen e së premtes, publikun për arsyet e mostransmetimit të drejtpërdrejtë të ndeshjeve të Kombëtares Kuqezi, por edhe të gjithë fazës finale të Euro 2016
“Ashtu siç e kemi shpjeguar edhe më parë për publikun, proçedura e tenderit për blerjen e të drejtës televizive të transmetimit të Euro 2016 (ku përfshihen edhe ndeshjet e Kombëtares) është organizuar gati dy vite më parë nga UEFA”, thuhet në sqarimin e RTSH.
“RTSH ka marrë pjesë në këtë tenderim ndërkombëtar nëpërmjet EBU (Bashkimit të Transmetuesve Publikë në Europë), ashtu si edhe në shumë raste të tjera të ngjashme, por oferta e EBU-RTSH për territorin e Republikës së Shqipërisë nuk rezultoi fituese”, vijon sqarimi.
Ndërkohë, vijon RTSH, “për transparencë sqarojmë se përveç RTSH-së, edhe transmetues të tjerë publikë në Europë nuk arritën t’i blinin këto të drejta, si Franca që është edhe organizatorja e Euro 2016, Spanja, Polonia, Rumania, Ukraina, Islanda, Izraeli etj”.
“Edhe pas përfundimit të kësaj proçedure tenderimi ndërkombëtar, RTSH ka bërë të gjitha përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje me fituesin e këtyre të drejtave për territorin e Republikës së Shqipërisë, me qëllim blerjen e së drejtës për transmetim në televizion pa pagesë për shikuesit, madje duke ofruar edhe vetëm për transmetimin e ndeshjeve të kombëtares, por pa patur sukses”, thekson RTSH.
Njëkohësisht, RTSH i bën me dije publikut shqiptar se këto ndeshje do të transmetohen drejtpërdrejt në kanalin e parë të Radio Tiranës, ashtu si edhe të gjitha ndeshjet e tjera të këtij turneu deri në ndeshjen finale.
Po ashtu, vijon sqarimi, “TVSH do të transmetojë çdo ditë të kampionatit europian një program të dedikuar për Kombëtaren Kuqezi dhe për gjithçka ndodh në Euro 2016, duke patur lidhje të drejtpërdrejta me Francën dhe vendqëndrimin e Kombëtares, ku RTSH ka dërguar një grup të posaçëm xhirimi me gazetarë dhe specialistë, të cilët do të informojnë për çdo gjë ndodh në kampin e Kombëtares Kuqezi dhe në Euro 2016”.
RTSH fton të gjithë të ndjekin transmetimet e drejtpërdrejta të çdo ndeshjeje të Euro 2016 në Radio Tirana, por edhe programet e dedikuara në Televizionin Shqiptar, ku publiku do të gjejë informacione dhe analizë teknike të specializuar për çdo takim të këtij turneu.
Gjithsesi, thekson RTSH, “Kombëtarja Kuqezi do të rikthehet me ndeshjet e drejtpërdrejta shumë shpejt në ekranin e TVSH-së dhe në të gjithë rrjetin e RTSH-së, duke filluar nga 5 shtatori 2016, kur nisin ndeshjet eliminatore për Kupën e Botës, Rusi 2018, një ekskluzivitet i RTSH-së”.
Ndërkohë, shton RTSH, “transmetimet sportive eksluzive të RTSH-së do të jenë edhe gjatë periudhës së verës me ndeshjet e klubeve shqiptare ne Kupat e Europës dhe me Lojërat Olimpike Verore Rio 2016 (në muajin gusht)”.