Nga Skënder Minxhozi/
Qendra e Tiranës shquhet për dendësi objektesh që kanë histori të madhe pas, por që ndodhen në gjendje të rrënuar fizike. Hotel Dajti dhe Piramida janë dy simbolet e këtij shkatërrimi që e ka para syve çdo banor i qytetit, që kalon disa herë në ditë nëpër bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Por punët janë me keq se kaq.
Nëse ju bie rasti të kaloni përmes Parkut Rinia, do të shihni diku në një cep të tij, një monument në ngjyrë të errët, që vetëm tre vjet më parë, kur festohej 100 vjetori i Pavarësisë, u inaugurua me shumë pompozitet. Fjala është për Monumentin e Pavarësisë, një vepër e Visar Obrijas dhe Kai R. Kiklas, e cila u shpall fituese asokohe pas një konkursi ku morën pjesë 61 artistë me 81 bocete. Sot, vetëm tre vjet pasi u afishua si një ndër momentet kyçe të ceremonive festive të Përvjetorit të Pavarësisë, monumenti në fjalë ndodhet aty i zhveshur nga një pjesë e pllakave dekorative, i shkarravitur nga gjithfarë duarsh vulgare me fjalë të ndyra dhe i “frekuentuar” jo rrallë nga ata që nuk kanë një banjo publike afër, për të kryer nevojat personale.
A ka më turp se kaq, për një vend që i beson datave të tij të shenjta? A ka absurditet më të madh sesa të shohësh sesi institucionet shtetërore dhe ato lokale grinden mes tyre për kompetencat e mirëmbajtjes së momumentit dhe përgjegjësitë për gjendjen në të cilën ndodhet? Sot “Panorama” boton deklaratat e përfaqësuesve të Ministrisë së Kulturës dhe të Bashkisë së Tiranës, të cilat duken më shumë si një polemikë banale fushate, sesa si marrje reale mbi vete të përgjegjësive, për të mos lejuar që të dehurit ta përdorin Monumentin si VC, apo që vjedhësit e skrapit ta zhveshin nga pllakat prej bronzi. Nëse lexon këto deklarime, gjithçka merr vesh, përpos fatit të monumentit tashmë të përdhosur.
Mirë se hotel Dajti dhe Piramida fshehin pas vetes interesa të mëdha biznesi të ndërtimit, po një monument që simbolizon aktin më të madh historik të shqiptarëve, pse duhet të braktiset në mënyrë kaq vulgare dhe arrogante nga shteti shqiptar?